LEKSIONI I NËNTË

Qigongu dhe Ushtrimet Fizike

Në një nivel të zakonshëm, njerëzit e marrin qigongun si diçka të lishur drejtpërdrejt me ushtrimet fizike. Sigurisht, në një nivel të ulët, qigong dhe ushtrimet fizike janë të njejta përsa i përket arritjes së një trupi të shëndoshë. Megjithatë metodat e saj specifike të ushtrimeve dhe mënyrat që ajo përdor ndryshojnë shumë nga ato të ushtrimeve fizike. Që ta bëjë trupin të shëndetshëm nëpërmjet ushtrimeve, një individ duhet të rrisë sasinë e ushtrimeve dhe intensifikojë stërvitjen fizike. Ndërsa praktika qigongut është krejt e kundërta, sepse ajo nuk kërkon që të lëvizësh. Nëqoftëse ka ndonjë lëvizje, ajo është e butë, e ngadaltë dhe e hijshme. Madje është dhe pa lëvizje apo e ngrirë—kjo ndryshon shumë nga ushtrimet fizike përsa i përket formës. Nga një perspektivë e lartë, qigongu nuk është i kufizuar vetëm me shërimin dhe mbajtjen e trupit në formë, sepse ai përfaqëson diçka të niveleve të larta dhe me përmbajtje më të thellë. Qigongu nuk është për ato gjërat e vogla në nivelin e njerëzve të zakonshëm. Ai është supernormal dhe ka manifestime të ndryshme në nivele të ndryshme. Është diçka që shkon përtej njerëzve të zakonshëm.

Përsa i përket natyrës së ushtrimeve, ato gjithashtu ndryshojnë thelbësisht. Për ta pregatitur trupin për nivelin modern të konkurencës dhe për të arritur ato kritere, një atleti, veçanërisht një atleti sot, i kërkohet që të rrisë sasinë e të ushtruarit. Prandaj, individi duhet ta mbajë trupin gjithmonë në formë perfekte. Për të arritur këtë qëllim, individi duhet të rrisë sasinë e ushtrimeve për ta bërë gjakun të qarkullojë siç duhet në trup, të përshpejtojë metabolizmin e tij dhe ta mbajë trupin gjithmonë në një gjendje që vjen duke u përmirësuar. Pse duhet të përshpejtohet metabolizmi? Sepse trupi i një atleti duhet të përmirësohet vazhdimisht dhe duhet të jetë në kushtet më të mira për konkurim. Trupi njeriut përbëhet nga qeliza të panumërta. Ato ndjekin të gjitha këtë lloj proçesi: Jeta e qelizës së sapo ndarë është shumë e fuqishme dhe qeliza shfaq një gjendje rritjeje. Kur rritet në pikën më të lartë, ajo nuk rritet më dhe veç mund të bie në pikën e vet më të ulët. Një qelizë e re do e zëvëndësojë atë pastaj. Për shembull, le të përdorim dymbëdhjetë orët e ditës për ta përshkruar këtë. Një qelizë ndahet në orën 6 të mengjesit dhe fillon të rritet. Kur arrin orën 8, 9 apo 10, këto janë të gjitha periudha të mira. Në kohën kur arrin dreka, ajo nuk mund të ngrihet më lart por vetëm mund të bjerë poshtë. Në këtë pikë, qelizës i ka mbetur akoma gjysma e jetës, por gjysma e mbetur është e papërshtatshme për gjendjen konkuruese të një atleti.

Çfarë duhet bërë atëhere? Individi duhet të intensifikojë stërvitjen dhe të rrisë qarkullimin e gjakut dhe pastaj qelizat e sapo ndara mund të zëvëndësojnë të vjetrat. Ndodh në këtë mënyrë. Kjo do të thotë se përpara se qeliza të mbaronte tërë kohën e saj apo kur vetëm të kishte jetuar gjysmën e jetës së saj, ajo do të zëvëndësohej. Trupi kështu do ta ruante gjithmonë fuqinë dhe do të bënte përmirësime. Megjithatë qelizat njerëzore nuk mund të ndahen kështu pafundësisht, sepse numri i ndarjeve të qelizës nuk është në pafundësi. Supozojmë se një qelizë mund të ndahet vetëm njëqind herë në jetën e një personi. Në fakt mund të ndahet më shumë se një milion herë. Dhe suppozojmë se kur qeliza ndahet njëqind herë për një person normal, ai mund të jetojë njëqind vjet. Por tani kjo qelizë ka jetuar vetëm gjysmën e jetës së saj, kështu ai mund të jetojë vetëm për pesëdhjetë vjet. Megjithatë ne nuk kemi parë ndonjë problem të madh t’u ndodhë atletëve, sepse atletët sot duhet të dalin në pension para moshës tridhjetë vjeç. Veçanërisht, tani niveli i konkurencës është shumë i lartë dhe numri i atletëve të dalë në pension është gjithashtu i madh. Kështu një atlet mund të vazhdojë një jetë normale dhe kjo nuk duket t’i ketë ndikuar shumë. Teorikisht, është në përgjithësi kështu. Ushtrimet fizike mund të aftësojnë një individ të mbajë një trup të shëndetshëm, por do t’i shkurtojnë jetën. Nga paraqitja, një atlet adoleshent duket si një në të njëzetat, ndërsa një në të njëzetat duket si një në të tridhjetat. Një atlet zakonisht duket sikur moshohet më shpejt. Nëqoftëse ka një avantazh nga njëra anë, nga një perspektivë tjetër është disavantazh. Në fakt kjo është rruga që ata marrin.

Praktika qigong është pikërisht e kundërta e ushtrimeve fizike. Ajo nuk kërkon lëvizje të sforcuara. Nëqoftëse ka ndonjë lëvizje, ajo është e butë, e ngadaltë dhe e hijshme. Është kaq e butë dhe e ngadaltë sa kthehet në pa lëvizje apo si e ngrirë. Ju e dini se metoda kultivuese e të qëndruarit në meditim kërkon arritjen e qetësisë. Çdo gjë, si për shembull rrahja e zemrës dhe qarkullimi i gjakut do të ngadalësohen. Në Indi, ka shumë mjeshtër Yoge të cilët mund të qëndrojnë në ujë apo të varrosur në tokë për ditë me rrallë. Ata mund ta bëjnë veten plotësisht si të ngrirë dhe madje të kontrollojnë rrahjet e zemrës. Të supozojmë se qelizat e një personi ndahen një herë në ditë. Një praktikues mund t’i bëjë qelizat e trupit të tij të ndahen një herë në dy ditë, një herë në javë, një herë në gjysmë muaji, apo madje dhe një herë për një periudhë më të gjatë. Atëhere ai e ka zgjatur tashmë jetën e tij. Kjo i referohet vetëm atyre praktikuesve që kultivojnë vetëm mëndjen pa kultivuar trupin sepse ata mund ta arrijnë këtë dhe të zgjasin jetën e tyre. Dikush mund të pyesë: “A nuk është jeta e personit e paracaktuar? Si mund të jetojë dikush më gjatë pa kultivuar trupin?” Kjo është e vërtetë. Nëqoftëse niveli i një praktikuesi arrin përtej Tre Hapësirave, jeta  e tij mund të zgjatet por nga jashtë ai do të duket shumë i plakur.

Një praktikë e vërtetë që kultivon trupin do të grumbullojë vazhdimisht energji të lartë të mbledhur në qelizat e trupit dhe vazhdimisht do të rrisë densitetin e energjisë për të kontrolluar gradualisht dhe për të zevëndësuar ngadalë qelizat e personit. Në këtë kohë do të ndodhë një ndryshim cilësor dhe ky person do të qëndrojë përgjithmonë i ri. Sigurisht, proçesi i kultivimit është një proçes shumë i ngadaltë dhe gradual dhe personi duhet të sakrifikojë shumë. Nuk është shumë e lehtë për një person të kalisë veten fizikisht dhe mendërisht. A mundet ai të qëndrojë i qetë në një konflikt me të tjerët që vë në provë karakterin e tij? A do t’i mbetet atij zemra e patunduar kur interesat e tij personale të jenë në rrezik? Është shumë e vështirë për ta bërë këtë, kështu nuk është se kur dikush don që ta arrijë këtë, ai mund ta arrijë. Vetëm kur karakteri dhe virtyti juaj janë përmirësuar mundeni ju ta arrini këtë.

Shumë njerëz e kanë konsideruar qigongun të jetë një ushtrim i zakonshëm fizik, kur në fakt ndryshimi është jashtëzakonisht i madh; ato nuk janë aspak e njejta gjë. Vetëm kur praktikoni qi në nivelin më të ulët, që është për shërim dhe mbajtje trupi në formë dhe për të pasur një trup të shëndoshë, është ai i ngjashëm me ushtrimet fizike. Në nivel të lartë, ato janë plotësisht gjëra të ndryshme. Pastrimi i trupit në qigong ka gjithashtu qëllimin e tij dhe për më tepër, praktikuesve u kërkohet të ndjekin parime supernormale në vend të parimeve të njerëzve të zakonshëm. Ndërsa ushtrimet fizike janë diçka vetëm për njerëzit e zakonshëm.

Mendimet

Përsa i përket mendimeve, kjo i referohet aktiviteteve të mëndjes sonë njerëzore. Në komunitetin e kultivuesve, si shikohen aktivitetet mendore në tru? Si i shikojnë ata format e ndryshme të të menduarit të njeriut? Dhe si shfaqen ato? Shkenca moderne akoma nuk mund të zgjidhë shumë pyetje në studimin e vet të trurit njerëzor, sepse nuk është aq e lehtë sa studimi i sipërfaqes së trupave tanë. Në nivele më të thella, dimensione të ndryshme marrin forma të ndryshme. Por gjithashtu nuk është si thonë disa mjeshtër qigongu. Disa mjeshtër qigongu nuk e dinë as vetë çfarë ndodh dhe as nuk mund ta shpjegojnë ata atë qartë. Ata mendojnë se me të përdorur mëndjen e tyre dhe të kenë një mendim, ata do të mundin të bëjnë diçka. Ata pretendojnë se këto gjëra arrihen nga mendimet e tyre apo nga qëllimi që kanë në mëndje. Në fakt, ato gjëra nuk kryhen aspak nga mendimet e tyre.

Para së gjithash, le të flasim për origjinën e mendimeve të njeriut. Në Kinën e lashtë, ekzistonte shprehja “të mendosh me zemër”. Pse quhej se zemra mendon? Shkenca e lashtë kineze ishte shumë e përparuar sepse kërkimet e saj kishin për objekt studimi të drejtpërdrejtë gjëra të tilla si trupin e njeriut, jetën dhe universin. Disa njerëz me të vërtetë ndjejnë se mendojnë me zemer, ndërsa të tjerë ndjejnë se mendojnë me tru. Pse ndodh kjo situatë? Është shumë e arsyeshme kur disa njerez flasin për mendim që vjen nga zemra. Kjo ndodh ngaqë siç e kemi konstatuar ne, Shpirti Primordial i një personi është shumë i vogël dhe mesazhet nga truri njeriut nuk janë funksion i vetë trurit të njeriut—ato nuk prodhohen nga truri, por nga Shpirti Primordial i personit. Shpirti Primordial i personit nuk qëndron vetëm në Pallatin Niwan. Shkolla Taoiste quan Pallati Niwan atë që shkenca moderne e quan gjendër pineale. Nëqoftëse Shpirti Primordial i personit është në Pallatin Niwan, atij do t’i duket se është truri ai që mendon apo po dërgon mesazhet. Nëqoftëse Shpirti Primordial është në zemrën e personit, atij do t’i duket se është zemra që po mendon.

Trupi i njeriut është një univers i vogël. Shumë qënie të gjalla në trupin e një praktikuesi janë të afta të shkëmbejnë vendet. Kur Shpirti Primordial ndryshon vendin e vet, nëse zhvendoset në bark, personit do t’i dukej se është barku ai që mendon. Nëqoftëse Shpirti Primordial zhvendoset tek pulpa apo thembra, personit do t’i dukej sikur me të vërtetë po mendon me pulpë apo thembër. Është e garantuar të jetë kështu, megjithëse duket shumë e pabesueshme. Edhe kur niveli juaj i kultivimit nuk është dhe aq i lartë, ju do ta ndjeni kur kjo ndodh. Nëqoftëse trupi i njeriut nuk ka Shpirtin Primordial dhe gjëra si temperamentin, karakterin dhe personalitetin, është vetëm një copë mishi dhe jo një person i plotë me individualitet. Kështu çfarë funksionesh ka truri i njeriut? Po të më pyesni mua, në këtë dimension fizik, truri i njeriut është vetëm një fabrikë përpunuese. Mesazhi në fakt prodhohet nga Shpirti Primordial. Megjithatë, ajo që transmetohet nuk është gjuhë, por një mesazh që ka një kuptim të caktuar. Me të marrë këtë komandë, truri ynë do e përpunojë atë në gjuhën e tanishme apo në forma të tjera të shprehjes; ne e shprehim atë nëpërmjet lëvizjeve të duarve, kontaktit me sy dhe me gjithë lëvizjet e trupit. Truri bën vetëm këtë. Në fakt komandat dhe mendimet vijnë nga Shpirti Primordial i personit. Njerëzit zakonisht mendojnë se ato janë funksione të drejtpërdrejta dhe të pavarura të trurit. Në fakt, Shpirti Primordial ngandonjëherë është në zemër kështu disa njerëz me të vërtetë ndjejnë sikur mendojnë me zemër.

Në kohën tonë, njerëzit që kryejnë kërkime mbi trupin e njeriut besojnë se ajo që transmeton truri njeriut është diçka si një valë elektrike. Ne nuk do flasim tani për çfarë transmetohet faktikisht, por ata e kanë pranuar se është një lloj ekzistence materiale. Kështu, nuk është supersticion. Çfarë efekti ka ky material? Disa mjeshtër qigongu pretendojnë: “Unë mund të lëviz gjëra me forcën e mëndjes time.” apo “Unë mund të hap Syrin tuaj Qiellor.” apo “Unë mund të shëroj sëmundjet tuaja.” etj. Në fakt, përsa i përket disa mjeshtërve qigong, ata as vetë nuk e dinë dhe as janë të qartë se çfarë aftësish supernormale kanë. Ata vetëm dinë që mund të bëjnë çfarë të duan vetëm duke e menduar atë. Në realitet, është mëndja e tyre në punë: Aftësitë supernormale drejtohen nga qëllimi mendor dhe ato kryejnë veprime të caktuara nën komandën e mëndjes. Megjithatë mëndja nuk mund të kryejë gjë vetë. Kur një praktikues bën diçka specifike, janë aftësitë e tij supernormale që e kryejnë veprimin.

Aftësitë supernormale janë aftësi të mundshme të trupit të njeriut. Me zhvillimin e shoqërisë sonë njerëzore, mëndja njeriut po bëhet gjithnjë e më e komplikuar, duke i dhënë më rëndësi “realitetit” dhe duke u bërë më e varur nga të ashtuquajturat vegla moderne. Për pasojë, aftësitë e lindura njerëzore janë atrofizuar gradualisht. Shkolla Tao mëson kthimin në veten e vërtetë dhe origjinale. Gjatë kursit të praktikës kultivuese, ju duhet të kërkoni të vërtetën dhe në fund të ktheheni në origjinë, tek vetja tuaj e vërtetë dhe tek natyra juaj e brendshme. Vetëm atëhere mund t’i zbuloni këto aftësi të lindura tuajat. Sot, ne i quajmë ato “aftësi mbinatyrale” kur në fakt ato janë të gjitha aftësi të lindura njerëzore. Shoqëria njerëzore duket sikur ecën përpara, por në fakt po ecën prapa dhe po shkon më larg karakteristikës së universit. Dje përmenda se Zhang Guolao i jepte gomarit mbrapsht, por njerëzit mund të mos e kenë kuptuar çfarë do të thoshte kjo. Ai zbuloi se të ecësh përpara do të thotë të shkosh prapa dhe se njerëzimi është duke ju larguar akoma më shumë karakteristikës së universit. Gjatë kursit të evolucionit të universit dhe veçanërisht pas hyrjes në rrymën e madhe të ekonomisë materialiste, shumë njerëz janë bërë shumë të korruptuar moralisht dhe ata po shkojnë gjithnjë e më larg Zhen-Shan-Ren (Ndershmërisë-Mirësisë-Tolerancës), karakteristikës së universit. Ata që shkojnë me rrymën e njerëzve nuk mund ta kuptojnë shkallën e korrupsionit moral të njerëzimit. Kështu disa njerëz madje mendojnë se gjërat po shkojnë mirë. Vetëm ata njerëz, morali i të cilëve është ngritur nëpërmjet kultivimit, do kuptojnë se vlerat morale njerëzore janë prishur deri në këtë shkallë të tmerrshme.

Disa mjeshtër qigongu pretendojnë: “Unë mund të zhvilloj aftësi supernormale.” Çfarë aftësish supernormale mund të zhvillojnë ata? Pa energji, aftësitë supernormale të personit nuk do të kenë efekt. Si mund t’i zhvilloni ju ato pa energji? Kur aftësitë supernormale nuk formohen dhe mbështeten nga energjia juaj, si mund t’i zhvilloni ju ato? Është plotësisht e pamundur. Ajo që thonë ata, se mund të zhvillojnë aftësi supernormale, nuk është gjë tjetër veçse ata lidhin aftësitë e tua supernormale tashmë të formuara me trurin tuaj. Atëhere ato do të veprojnë nën komandën e trurit tuaj. Këtë bëjnë ata përsa i përket zhvillimit të aftësive supernormale. Në fakt, ata nuk kanë zhvilluar ndonjë prej aftësive tuaja supernormale, por veçse kanë bërë kaq pak gjë.

Për një praktikues, është mëndja ajo që i komandon aftësitë supernormale për të kryer veprime. Për një person të zakonshëm, mëndja drejton katër gjymtyrët dhe organet e shqisave, ashtu si një zyrë drejtuese në një fabrikë: Zyra drejtorit lëshon urdhërat për çdo repart me funksione të ndryshme për të kryer detyra të caktuara. Apo është si shtabi i një ushtrie që jep urdhërat dhe e drejton gjithë ushtrinë për të kryer një mision. Kur unë dilja jashtë qytetit për të dhënë leksione, unë shpesh e diskutoja këtë çështje me administratorët e shoqatave lokale të qigongut. Ata u habitën të gjithë: “Ne diskutojmë sa potencial energjie dhe vetëdijë ka mëndja njeriut.” Në realitet, nuk është ashtu. Ata ishin larg së vërtetës që në fillim. Unë kam thënë se që të studjojnë trupin e njeriut, njerëzit duhet të ndryshojnë të menduarit e tyre. Që të kuptojë gjërat supernormale, një person nuk mund të aplikojë metodat deduktive të njerëzve dhe mënyrat e tyre të të kuptuarit të gjërave. 

Me që flasim për mendimet, ka dhe shumë forma të tjera. Për shembull, disa njerëz ngrenë çështjen e vetëdijes, të nën-ndërgjegjes, frymëzimit, ëndrrave, etj. Të flasim për ëndrrat, asnjë mjeshtër qigongu nuk don t’i shpjegojë ato. Kur ti linde, në të njejtën kohë, lindi një “ti” në shumë dimensione të universit dhe ata përbëjnë një qënie të plotë dhe të integruar dhe janë të ndërlidhur duke qënë mendërisht të lidhur. Po ashtu, në trup ju keni Shpirtin Kryesor, Shpirtin Ndihmës dhe qënie të tjera. Si forma ekzistence në dimensionet e tjera, çdo qelizë dhe të gjitha organet e tua të brendshme kanë mesazhin e imazhit tënd. Kështu, është jashtëzakonisht komplekse. Në ëndërr, gjërat janë kështu për një moment dhe ndryshe në një moment tjetër. Nga vijnë ato? Thuhet në mjekësi që kjo ndodh ngaqë korteksi cerebral i personit ka pësuar ndryshime. Ky është reaksion që manifestohet në këtë dimension fizik. Në fakt, ajo rezulton nga marrja e mesazheve nga një dimension tjetër. Prandaj, kur ëndërroni ju ndjeheni me kokë të turbullt. Kjo nuk ka fare të bëjë me ju dhe ju nuk keni pse i kushtoni vëmendje. Është një lloj tjetër ëndrre që ka lidhje direkt me ju. Ne nuk duhet ta quajmë një ëndërr të tillë “ëndërr”. Ndërgjegja juaj Kryesore apo Shpirti Kryesor mund të ketë parë në ëndërr që një pjesëtar i familjes ka ardhur tek ju, sikur ju keni pësuar diçka, apo sikur ju keni parë apo bërë diçka. Në këto raste, ndodh me të vërtetë që Shpirti juaj Kryesor ka bërë apo parë në fakt diçka në një dimension tjetër ndërsa ndërgjegja juaj ishte e qartë dhe reale. Këto gjëra ekzistojnë në fakt, veçse ato ndodhin në një dimension tjetër fizik dhe kryhen në një hapësirë kohore tjetër. Si mund ta quani ju atë ëndërr? Ajo nuk është ëndërr. Trupi juaj fizik është në fakt këtu në gjumë, kështu ju vetëm mund ta quani atë ëndërr. Vetëm ëndrra të tilla kanë të bëjnë direkt me ju.  

Përsa i përket frymëzimit njerëzor, nën-ndërgjegjes, vetëdijes e kështu me radhë, unë do thoja se këto terma nuk janë krijuar nga shkencëtarët. Ato janë terma të sajuara nga shkrimtarë dhe bazohen në gjendjet mendore që njeh njeriu—ato nuk janë shkencore. Çfarë është “vetëdija” të cilës i referohen njerëzit? Ajo është e vështirë të shpjegohet qartë dhe është shumë e papërcaktuar meqenëse shumë mesazhe të ndryshme të njeriut janë komplekse dhe ato duken si copa kujtimesh të turbullta. Përsa i përket nën-ndërgjegjes së cilës i referohen njerëzit, ne mund ta shpjegojmë atë me lehtësi. Sipas përkufizimit të nën-ndërgjegjes, ajo i referohet zakonisht asaj kur një person bën diçka pa e ditur. Njerëz të tjerë do të thonë zakonisht se ky person e bëri këtë pa vetëdije dhe jo me qëllim. Nën-ndërgjegja është e njejtë me Ndërgjegjen Ndihmëse për të cilën kemi folur. Kur Ndërgjegja Kryesore e personit rilaksohet dhe nuk e kontrollon trurin, personi nuk ka ndërgjegje të qartë dhe është sikur ka rënë në gjumë. Në ëndërr, apo në një gjendje të pandërgjegjshme, personi do të kontrollohej lehtësisht nga Ndërgjegja Ndihmëse apo Shpirti Ndihmës. Në atë kohë, Ndërgjegja Ndihmëse është në gjendje të bëjë disa gjëra që do të thotë se ju do të bëni gjëra pa qënë i vetëdijshëm. Megjithatë këto gjëra shpesh kanë tendencë të bëhen shumë mirë, sepse Ndërgjegja Ndihmëse mund të shikojë nga një dimension tjetër esencën e materies dhe nuk do të gënjehej nga shoqëria jonë njerëzore. Prandaj, pasi individi sheh çfarë ka bërë, ai do e rishikojë e thotë: “Si e bëra kaq keq?” Nuk do ta kisha bërë kështu me mëndje të kthjellët.” Tani ti mund të thuash se nuk është e mirë, por kur e rishikon pas dhjetë ditësh apo gjysmë muaji më vonë ju do të thonit: “Uau! Qënka bërë kaq mirë! Si e bëra unë këtë atëhere?” Këto gjëra ndodhin shpesh. Ngaqë Ndërgjegja Ndihmëse nuk don t’ja dijë për rezultatin në atë moment, ajo do të ketë rezultat të mirë në të ardhmen. Ka gjithashtu disa gjëra që nuk kanë efekt në të ardhmen dhe vetëm kanë një farë efekti në atë moment. Kur Ndërgjegja Ndihmëse i bën këto gjëra, ajo mund të bëjë një punë shumë të mirë në atë kohë.

Ka dhe një formë tjetër: Domethënë, ata prej jush që kanë cilësi të lindur shumë të mirë mund të kontrollohen nga qënie të larta me lehtësi për të kryer gjëra. Sigurisht, kjo është një çështje tjetër dhe nuk do ta trajtojmë këtu. Ne kryesisht diskutojmë mendimet që vijnë nga vetja jonë.

Përsa i përket “frymëzimit’, edhe ky është një term i sajuar nga shkrimtarët. Në përgjithësi besohet se frymëzimi, si grumbullim i njohurive të personit gjatë gjithë jetës, shpërthen për një sekondë si një shkëndijë që shkëlqen. Unë do të thoja se sipas perspektivës materialiste, sa më shumë njohuri individi grumbullon në jetë, aq më shumë ai përdor mëndjen dhe aq më e mprehtë bëhet ajo. Në kohën  kur personi e përdor mëndjen, ajo duhet të prodhojë në mënyrë të vazhdueshme dhe nuk duhet të ketë nevojë për frymëzim. Ajo që njerëzit quajnë frymëzim, kur vjen, nuk është në këtë formë. Zakonisht kur një person përdor mëndjen, ai vazhdon ta përdorë derisa atij i duket sikur i është sosur dija dhe sikur i janë shteruar mendimet. Ai do të jetë i paaftë të vazhdojë të shkruajturit, i janë shteruar idetë për të kompozuar një pjesë muzikore, apo do të jetë i paaftë të mbarojë një projekt kërkimi shkencor. Në këtë pikë, një person zakonisht ndjehet i lodhur me trurin të mpirë dhe bishta cigaresh të shpërndara në dysheme. Ai ka ngecur, ka dhimbje koke dhe akoma nuk i vjen ndonjë ide. Së fundi, në cilat kushte shfaqet frymëzimi? Nëqoftëse ai është i lodhur, ai do mendojë: “Harroje. Do bëj pak pushim.” Ngaqë sa më shumë që Ndërgjegja Kryesore kontrollon trurin e tij aq më pak qënie të tjera mund të ndërhyjnë, me këtë pushim dhe shplodhjen e mëndjes, menjëherë ai mund pa dashje të kujtojë diçka nga truri i tij. Shumica e frymëzimeve vjen kështu.

Pse vjen frymëzimi në atë kohë? Sepse kur mëndja individit kontrollohet nga Ndërgjegja Kryesore, sa më shumë ai e përdor trurin, aq më shumë kontroll ka nga Ndërgjegja Kryesore dhe aq më pak mundet Ndërgjegja Ndihmëse të ndërhyjë. Kur dikush po mendon, ka dhimbje koke dhe vuan, Ndërgjegja Ndihmëse gjithashtu vuan dhe ka një dhimbje koke shumë të madhe. Si pjesë e këtij trupi dhe i lindur në të njejtën kohë nga e njejta nënë, ai gjithashtu kontrollon një pjesë të këtij trupi. Kur Ndërgjegja Kryesore e personit rilaksohet, Ndërgjegja Ndihmëse do të projektojë çfarë din në tru. Meqenëse mund të shohë natyrën e materies në një dimension tjetër, puna do të bëhet siç duhet, artikulli do të shkruhet apo muzika do të kompozohet.

Disa njerëz do të thonë: “Në se është kështu, ne duhet ta fusim në punë Ndërgjegjen Ndihmëse.” Kjo është e njejtë me çfarë dikush sapo pyeti në një letër: “Si të komunikojmë me Ndërgjegjen Ndihmëse?” Ju nuk mund të kontaktoni me të sepse ju sapo keni filluar praktikën dhe ju nuk keni aftësi. Ju më mirë të mos e kontaktonit sepse qëllimi juaj me siguri do të jetë ndonjë dëshirë. Disa njerëz mund të mendojnë: A mund ta përdorim Ndërgjegjen Ndihmëse për të krijuar pasuri për ne dhe për të përshpejtuar zhvillimin e shoqërisë njerëzore?” Jo! Pse jo? Sepse atë që din Ndërgjegja juaj Ndihmëse është përsëri shumë e kufizuar. Me kompleksitetin e dimensioneve dhe kaq shumë nivele, struktura e universit është tepër komplekse. Ndërgjegja Ndihmëse mund të dijë vetëm ato që janë në dimensionin e vet dhe nuk do të dijë gjë jashtë atij dimensioni. Po ashtu, ka dhe shumë nivele dhe dimensione të ndryshme vertikale. Zhvillimi i njerëzimit mund të kontrohet vetëm nga jetët më të larta të një niveli shumë të lartësuar dhe përparon sipas ligjit të zhvillimit.

Shoqëria jonë njerëzore përparon sipas ligjit të zhvillimit të historisë. Ju mund të doni të zhvillohet në një mënyrë të caktuar dhe të arrini një qëllim të caktuar, por ato jetët e larta nuk e mendojnë ashtu. Pse nuk menduan njerëzit në kohë të lashta për avionët, trenat dhe biçikletat e sotme? Unë do të thoja se do ishte e pabesueshme që ata të mos i kishin menduar ato. Ngaqë historia nuk u zhvillua deri në atë shkallë, ata nuk mund t’i shpiknin ato. Në sipërfaqe, apo nga perspektiva e teorive konvencionale dhe njohuritë e sotme njerëzore, kjo ndodh ngaqë shkenca njerezore në atë kohë nuk e kishte arritur akoma këtë nivel dhe kështu ata nuk mund t’i shpiknin ato. Në fakt, si shkenca njerëzore duhet të zhvillohet është gjithashtu e caktuar sipas planit të historisë. Nëqoftëse ju dëshironi të arrini një qëllim të caktuar si njeri, ai nuk mund të arrihet. Sigurisht, ka njerëz Ndërgjegja Ndihmëse e të cilëve mund të luajë një rol me lehtësi. Një shkrimtar pretendon: “Unë mund të shkruaj dhjetëra mijra fjalë në ditë për librin tim pa u lodhur fare. Po të dua, unë mund të shkruaj shumë shpejt dhe të tjerët mund ta konsiderojnë shumë të mirë kur ta lexojnë.” Pse ndodh kështu? Ky është rezultat i përpjekjeve të përbashkëta të Ndërgjegjes së tij Kryesore me Ndërgjegjen Ndihmëse, sepse Ndërgjegja Ndihmëse e tij gjithashtu mund të marrë përsipër gjysmën e punës. Por nuk është gjithmonë kështu. Shumica e Ndërgjegjeve Ndihmëse nuk përzihen fare. Nuk është mirë nëqoftëse ju doni që të bëjë diçka sepse ju do të merrni rezultatet e kundërta.

Një Mëndje e Kthjellët dhe e Pastër

Shumë njerëz nuk mund të arrijnë të qetësojnë mëndjen gjatë praktikës dhe ata shkojnë kudo për të pyetur mjeshtërit qigong: “Mësues, nuk arrij dot qetësinë sido që të praktikoj. Sapo ulem, do filloj të mendoj për çdo gjë, përfshirë mendime dhe idera të kota.” Është njësoj sikur ke kthyer lumenj dhe dete përmbys dhe çfarë ishin poshtë, dalin sipër dhe personi nuk e arrin dot aspak qetësinë. Pse është një individ i paaftë të arrijë qetësinë? Disa njerëz nuk mund ta kuptojnë këtë dhe besojnë se duhet të ketë ndonje marifet sekret. Ata do të gjejnë mjeshtër të njohur: “Të lutem me mëso ndonjë mënyrë të përparuar që unë të arrij të kem mëndje të qetë.” Sipas mendimit tim, kjo do të thotë të kërkosh ndihmë nga jashtë vetes. Nëqoftëse dëshironi të përmirësoni veten, ju duhet ta kërkoni brenda vetes tuaj dhe të punoni fort me mëndjen tuaj—vetëm atëhere mundet që me të vërtetë të ngriheni lart dhe të arrini qetësinë në meditimin ulur. Aftësia për të arritur qetësinë është gong dhe thellësia e meditimit tregon nivelin tuaj.

Si mundet një njeri i zakonshëm të arrijë qetësinë kur të dojë? Personi nuk mund ta bëjë këtë aspak veçse nëqoftëse ai ka cilësi të lindur të mirë. Me fjalë të tjera, arsyeja kryesore pse dikush nuk arrin dot qetësinë nuk është çështje teknikash, por fakti se mëndja dhe zemra juaj nuk janë të pastra. Në shoqërinë njerëzore dhe në konflikte me të tjerët, ju konkuroni dhe luftoni për përfitim personal, mbi të gjitha llojet e sentimentalizmave njerëzorë dhe mbi përndjekjet tuaja për të plotësuar dëshira. Po nuk i latë këto gjëra dhe t’i merrni ato lehtas, si mund të arrini qetësinë me aq lehtësi? Ndërsa praktikon qigong, dikush thotë: “E pabesueshme. Më duhet të arrij qetësinë dhe të ndaloj mendimet.” Me të thënë këtë, gjithë llojet e mendimeve do dalin përsëri, sepse është mëndja juaj që nuk është e pastër. Prandaj ju nuk arrini të keni një mëndje të qetë.

Disa njerëz mund të mos jenë dakort me mua: “A nuk i mësojnë disa mjeshtër qigongu disateknika njerëzve? Si personi mund të përqendrohet, vizualizojë diçka, të përqendrojë mëndjen në dantian, të shikojë nga brenda në dantian, të këndojë emrin e Buddhës e kështu me radhë.” Këto janë lloje teknikash. Megjithatë ato nuk janë vetëm teknika, por gjithashtu reflektime të aftësive të personit. Për pasojë, këto aftësi janë të lidhura direkt me kultivimin e karakterit dhe me nivelin e përmirësimit tuaj. Për më tepër, dikush nuk mund të arrijë qetësinë duke përdorur vetëm teknika të tilla. Po nuk e besuat ju mund ta bëni një provë. Me dëshira dhe vese të ndryshme të forta dhe duke mos qënë i aftë të hiqni dorë nga çdo gjë, ju mund ta provoni nëse mund të arrini qetësinë. Disa njerëz thonë se jep rezultat të këndosh emrin e Buddhës. A mund të arrish ti qetësinë duke kënduar emrin e Buddhës? Dikush pretendon: “Është e lehtë të praktikosh shkollën e praktikës së Buddha Amitabhës. Jep rezultat vetem duke kënduar emrin e Buddhës.” Pse nuk e provoni të këndoni? Unë do ta quaja atë aftësi. Ju thoni se është e lehtë, por unë them se nuk është e lehtë, sepse asnjë shkollë praktike nuk është e lehtë.

Të gjithë e dinë se Sakyamuni mësoi “samadhi”. Çfarë mësoi ai para samadhit? Ai mësoi parimet dhe braktisjen e të gjithë dëshirave dhe veseve derisa të mos mbetej asnjë—atëhere një person mund të arrinte qetësinë në meditim. A nuk është ky parimi? Por samadhi është gjithashtu dhe një aftësi, sepse ju nuk jeni në gjendje të arrini braktisjen e gjithë përndjekjeve tuaja menjëherë. Me braktisjen graduale të të gjithë gjërave të këqija, aftësia e personit për t’u përqëndruar në meditim gjithashtu do të përmirësohet nga e cekët në të thellë. Kur dikush këndon emrin e Buddhës, ai duhet ta bëjë atë pa asgjë tjetër në mëndje derisa pjesët e tjera të trurit të mpihen dhe ai bëhet i pavetëdijshëm për gjithshka me një mendim që zëvendëson njëmijë të tjerë, apo derisa çdo fjalë e “Buddha Amitabha” shfaqet para syve të tij. A nuk është kjo një aftësi? A mund ta bëjë dikush këtë që në fillim? Jo, ai nuk mundet. Nëqoftëse një person nuk mund ta bëjë këtë, ai sigurisht nuk do jetë i aftë të arrijë qetësinë. Po nuk e besuat bëjeni provë. Ndërsa këndoni emrin e Buddhës pa pushim me gojë, mëndja do të mendojë për çdo gjë: “Pse nuk më do fare përgjegjësi në punë? Shpërblimi për këtë muaj është kaq i vogël.” Sa më shumë mendon personi për këtë gjë, aq më i zemëruar bëhet ai, ndërsa goja e tij vazhdon të këndojë emrin e Buddhës. A mendoni se ky person mund të praktikojë qigong? A nuk është kjo çështje aftësie? A nuk është kjo çështje e të pasurit të një mëndjeje të papastër? Syri Qiellor i disa njerëzve është hapur dhe ata mund të shikojnë brenda trupit të tyre në dantian. Përsa i përket dan-it që grumbullohet në pjesën e poshtme të barkut të personit, sa më e pastër të jetë kjo lëndë energjie aq më e shkëlqyeshme bëhet ajo. Sa më pak e pastër që të jetë, aq më pa shkëlqim dhe e errët është ajo. A mundet dikush të arrijë qetësinë vetëm duke parë brenda dan-in në dantian? Ai nuk mundet. Nuk varet nga vetë teknika. Çelsi është se mëndja dhe mendimet e personit nuk janë të kthjella dhe të pastra. Kur ju shikoni brenda vetes në dantian, dan-i duket i ndritshëm dhe i  bukur. Në sekond ky dan kthehet ne apartament: “Kjo dhomë do jetë për djalin kur të martohet. Ajo dhomë është për vajzën. Si çift i vjetër ne do jetojmë në dhomën tjetër dhe dhoma në mes do bëhet dhomë ndenje. Mrekulli! A do ma japin mua këtë apartament? Duhet të mendoj një mënyrë si ta marr. Çfarë duhet me bërë?” Njerëzit janë të dhënë pas këtyre gjërave. A mendoni se mund të arrini qetësinë në meditim në këtë mënyrë? Thuhet: “Kur vjen në shoqërinë njerëzore, është tamam sikur të zësh hotel për pak ditë. Pastaj ikën me nxitim.” Disa njerëz janë thjesht të obsesuar me këtë vend dhe kanë harruar shtëpitë e tyre të vërteta.

Në praktikën e vërtetë kultivuese personi duhet të kultivojë zemrën dhe vetveten e vet. Ai duhet të kërkojë brenda vetes e jo jashtë. Disa shkolla praktike thonë se Buddha është në zemrën e personit dhe kjo ka diçka të vërtetë. Disa njerëz e kanë keqkuptuar këtë thënie dhe thonë se ka Buddhë në zemrën e tyre, sikur ata vetë të ishin Buddhë apo sikur ka një Buddhë në zemrën e tyre—ata e kanë kuptuar atë kështu. A nuk është kjo e gabuar? Si mund të kuptohet ashtu? Ajo do të thotë se ju duhet të kultivoni zemrën tuaj nëse doni t’ja arrini në kultivim—tregon këtë parim. Si mund të ketë një Buddhë në trupin tuaj? Ju duhet të praktikoni kultivim që t’ja arrini.

Arsyeja që ju nuk arrini qetësinë në meditim është se mëndja e juaj nuk është bosh dhe ju nuk keni arritur atë nivel të lartë që mund të arrihet vetëm gradualisht. Kjo shkon dora dorazi me përmirësimin tuaj. Kur ju hiqni dorë nga dëshirat, niveli juaj do të ngrihet dhe aftësia juaj për t’u përqëndruar gjithashtu do të përmirësohet. Nëqoftëse dëshironi të arrini qetësinë gjatë meditimit nëpërmjet disa teknikave apo metodave, unë do ta quaja këtë të kërkosh ndihmë nga jashtë. Në praktikën qigong, njerëzit që kërkojnë ndihmë nga jashtë konsiderohen se kanë shkuar dëm dhe ndjekin një mënyrë të ligë. Në veçanti në Buddhizëm, nëse ju kërkoni ndihmë nga jashtë, thuhet se ju keni marrë rrugën e djallit. Në praktikën e vërtetë kultivuese personi duhet të kultivojë zemrën: Vetëm kur ju përmirësoni karakterin tuaj, mundeni ju të arrini një mëndje të kthjellët e të pastër dhe një gjendje të paqëllimshme (wuwei). Vetëm kur karakteri juaj përmirësohet mundet që ju t’i asimiloheni karakteristikës së universit dhe të hiqni dëshirat e ndryshme njerëzore, veset dhe gjëra të tjera të këqija. Vetëm atëhere do mundeni ju të braktisni gjërat e këqija në veten tuaj dhe të ngjiteni, kështu ju nuk do të kufizoheni nga karakteristika e universit. Atëhere substanca e virtytit mund të shndrrohet në gong. A nuk janë këto të ndërlidhura? Ky është parimi!

Kjo është arsyeja për praktikuesin pse ai nuk arrin dot qetësinë, sepse ai nuk arrin standartin e një praktikuesi. Përsa i përket faktorëve të jashtëm, ka tashmë një situatë që seriozisht ndërhyn me praktikën tuaj kultivuese drejt niveleve të larta dhe seriozisht ndikon tek praktikuesit. Ju e dini që me reformat dhe politikën e dyerve të hapura, ekonomia është ripërtërirë dhe politikat janë bërë më liberale. Shumë teknologji të reja janë futur dhe standartet e jetesës së njerëzve janë përmirësuar. Njerëzit mendojnë se kjo është një gjë e mirë. Por gjërat duhet të shihen nga të gjitha anët. Me reformat dhe hapjen, janë importuar dhe gjëra të këqija të formave të ndryshme. Nëse një pjesë letrare nuk shkruhet me përbërje pornografike, libri duket se nuk shitet dhe kjo do të lidhet me sasinë e shitjeve. Nëse filmat dhe programet televizive nuk tregojnë pamje me skena dhomash gjumi, askush nuk duket se i shikon ato dhe lind problemi i numrit të shikuesve. Përsa i përket artit, askush nuk e merr vesh nëse është art i vërtetë apo diçka tjetër. Nuk kishte gjëra të tilla në artet tona tradicionale të lashta kineze. Trashëgimia e popullit kinez nuk u shpik apo u krijua nga çfarëdolloj njerëzish. Kur fola për kulturën parahistorike, përmenda që çdo gjë ka origjinën e vet. Vlerat morale njerëzore janë shtrembëruar dhe ndryshuar. Standartet që përcaktojnë të mirën dhe të keqen kanë ndryshuar të gjitha. Kjo është situata me njerëzit. Megjithatë karakteristika e universit, Zhen-Shan-Ren (Ndershmëri-Mirësi-Tolerancë), mbetet e pandryshuar si kriteri i vetëm i dallimit të njerëzve të mirë e të këqinj. Si praktikues, nëse ju doni të ngriheni mbi çdo gjë, ju duhet të përdorni këtë kriter—jo standartin e njerëzve të zakonshëm—për të vlerësuar gjërat. Kështu, ekziston kjo ndërhyrje nga jashtë. Ka dhe gjëra të tjera, si homoseksualiteti, lirija seksuale e abuzimet me drogë.

Kur shoqëria njerëzore ka arritur në këtë pikë, mendojeni pak: Çfarë do të ndodhë nëqoftëse vazhdon kështu? A mund të lejohet të ekzistojë kështu përgjithmonë? Nëqoftëse njerëzimi nuk bën diçka për këtë, do ta bëjë qielli. Sa herë që njerëzimi kalon katastrofa, ato ndodhin gjithmonë në këto kushte. Në kaq shumë leksione, nuk e kam përmendur çështjen e katastrofave të mëdha të njerëzimit. Kjo pikë interesante është diskutuar nga fetë dhe nga shumë njerëz të tjerë. Po ja ngre këtë pyetje të gjithëve, kështu mendojeni pak: Në shoqërinë tonë njerëzore, standartet e moralit njerëzor kanë ndryshuar kaq shumë! Tensionet ndërmjet njerëzve kanë arritur këtë pikë! A nuk mendoni që ka arritur në një pikë të rrezikshme? Prandaj, ky ambjent i sotëm ndërhyn seriozisht tek kultivimi i praktikuesve tanë drejt niveleve të larta. Fotografi lakuriqe janë të vendosura kudo, e janë të vendosura në mes të rrugës. Me të ngritur kokën ju do i shihni ato.

Lao Zi pat thënë një herë: “Kur një njeri i mençur dëgjon Taon, ky person do ta praktikojë atë me zell.” Kur një person i mençur mëson Taon, ai mendon: “Më në fund kam marrë një metodë të vërtetë. Pse të pres dhe të mos filloj të praktikoj sot?” Ambjenti kompleks sipas mendimit tim, është një gjë e mirë. Sa me kompleks të jetë ai, aq më të mëdhenj njerëzit që do të nxjerrë. Nëqoftëse individi mund ta ngrejë veten mbi çdo gjë, kultivimi i tij do të jetë dhe më i qëndrueshmi.

Për një praktikues që është me të vërtetë i vendosur të praktikojë kultivim, unë do të thoja se do të ishte një gjë e mirë. Pa konflikte apo mundësira për të përmirësuar karakterin tuaj, ju nuk mund të përparoni. Nëse të gjithë janë të mirë me njeri tjetrin, si mund të praktikoni ju kultivim? Përsa i përket dikujt që është një praktikues mesatar, ai është “një njeri mesatar që dëgjon Taon,” dhe dikush që mund të praktikonte me hope; me siguri që ai do të dështojë në kultivim. Disa njerëzve, që po më dëgjojnë kur flas këtu, u duken këto çfarë thotë Mësuesi të arsyeshme. Por me t’u kthyer në shoqërinë njerëzore, ata do të mendojnë përsëri se përfitimet e menjëhershme janë më praktike dhe reale. Ato janë të vërteta. Jo vetëm ju, por edhe shumë milionerë perëndimorë dhe njerëz të pasur kanë zbuluar se nuk mbetet agjë pas vdekjes. Pasuria materiale nuk sillet me vete kur lind dhe as nuk vjen me ty kur vdes—të gjithë ata njerëz u ndjenë bosh brenda. Megjithatë pse është gongu kaq i çmuar? Sepse i bashkangjitet trupit të Shpirtit tuaj Primordial dhe vjen me ju në lindje dhe shkon me ju në vdekje. Ne kemi thëne se Shpirti Primordial i personit nuk zhduket dhe ky nuk është supersticion. Pasi qelizat në trupin tonë fizik vdesin, grimcat më të vogla sesa qelizat në dimensione të tjera fizike nuk janë zhdukur. Vetëm një guackë është hequr.

Të gjitha këto për të cilat sapo kam folur i përkasin çështjes së karakterit të personit. Sakyamuni pat thënë një herë, po ashtu dhe Boddhidarma: “Kjo toka orientale e Kinës është një vend ku mund të dalin njerëz me virtyte të mëdha.” Gjatë historisë, shumë murgjër and plot kinezë kanë qenë shumë krenarë për këtë; duket se sugjeron se ata mund të kultivojnë gong të nivelit të lartë dhe kështu shumë njerëz kënaqen dhe ndjehen të lavdëruar: “Bravo ne kinezët! Kjo toka e Kinës mund të nxjerrë njerëz me cilësi të mëdha të lindura dhe virtyt të madh.” Në fakt, shumë njerëz nuk e kanë kapur kuptimin prapa thënies. Pse nxjerr toka e Kinës njerëz me virtyt të madh dhe nivel gongu të madh? Shumë njerëz nuk e kuptojnë kuptimin e vërtetë të asaj që patën thënë këta njerëz të niveleve të larta dhe ata as nuk mund ta kuptojnë mëndjen e atyre njerëzve të niveleve të larta dhe në mbretëri sublime. Le të mos themi se çfarë do të thotë kjo. Mendojeni pak, të gjithë: Vetëm duke qënë në mes të grupit më kompleks të njerëzve dhe ne ambjentin më kompleks mundet që dikush të kultivojë gong të nivelit të lartë—do të thotë këtë.

Cilësia e Lindur

Cilësia e lindur e personit përcaktohet nga sasia e substancës së virtytit në një trup të tij në një dimension tjetër. Me më pak virtyt dhe me më shumë substancë të zezë, fusha karmike e personit do të jetë e madhe. Në këtë rast, personi është me cilësi të lindur të dobët. Me shumë virtyt apo substancë të bardhë, fusha e tij karmike do të jetë e vogël. Kështu, ky person është me cilësi të mirë të lindur. Substanca e bardhë dhe substanca e zezë mund të konvertohen në njëra tjetrën. Si konvertohen ato? Kur kryen vepra të mira merr substancën e bardhë, sepse substanca e bardhë merret nëpërmjet durimit të vështirësive, vuajtjeve apo nga kryerja e veprave të mira. Substanca e zezë krijohet kur i bën njerëzve keq dhe kur kryen vepra të këqija dhe ajo është karmë. Ndodh ky proçes transformimi. Ndërkohë, mund dhe të trashëgohet. Ngaqë shkojnë drejtpërdrejt pas Shpirtit Primordial të personit, nuk janë diçka vetëm nga një jetë por grumbullohen nga një kohë e largët. Prandaj, njerëzit flasin për akumulim karme dhe grumbullim virtyti. Po ashtu, ato mund të merren dhe nga paraardhësit. Shpesh, më kujtohet çfarë thonin kinezët e lashtë apo të moçmit: “Të parët e dikujt kanë grumbulluar virtyt, grumbullo apo humb virtyt.” Kjo që thuhej ishte shumë e saktë! Është shumë e drejtë me të vërtetë.

Cilësia e lindur e mirë apo e varfër e personit mund të përcaktojë nëse cilësia e tij e ndriçimit shpirtëror është e mirë apo e varfër. Cilësia e varfër e lindur e një personi mund ta bëjë dhe ndriçimin e tij shpirtëror shumë të varfër. Pse ndodh kjo? Ndodh sepse një person me cilësi të mirë të lindur ka plot substancë të bardhë që asimilohet në univers dhe në karakteristikën Zhen-Shan-Ren (Ndershmëri-Mirësi-Tolerancë) pa kurrfarë pengese. Karakteristika e universit mund të shfaqet direkt në trupin tuaj dhe të jetë në kontakt të menjëhershëm me trupin tuaj. Ndërsa substanca e zezë është pikërisht e kundërta. Meqenëse merret nga kryerja e veprave të këqija, ajo shkon në drejtim të kundërt nga karakteristika e universit tonë. Prandaj, kjo substancë e zezë ndahet nga karakteristika e universit tonë. Kur kjo substancë e zezë grumbullohet në një sasi të madhe, ajo do të formojë një fushë që e rrethon trupin e personit dhe e mbështjell atë nga brenda. Sa më e madhe fusha, aq më i madh densiteti dhe trashësia e saj dhe kjo do ta bëjë cilësinë e ndriçimit shpirtëror të varfërohet. Kjo ndodh ngaqë personi nuk është në gjendje të jetë në kontakt me karakteristikën e universit Zhen-Shan-Ren (Ndershmëri-Mirësi-Tolerancë), ngaqë ai e ka marre substancen e zezë nga kryerja e veprave të këqija. Zakonisht, është më e vështirë për një individ si ky të besojë në praktikën kultivuese. Sa më e varfër cilësia e tij e ndriçimit shpirtëror, aq më e madhe rezistenca karmike që ai do të gjejë. Sa më shumë vështirësi që ai kalon, aq më pak do ta besojë ai atë dhe aq më e vështirë do jetë për të që të praktikojë kultivim.

Është më e lehtë për dikë me shumë substancë të bardhë për të praktikuar kultivim. Kjo ndodh ngaqë gjatë kultivimit, për aq kohë sa ky person i asimilohet karakteristikës së universit dhe përmirëson karakterin të tij, virtyti i tij do të transformohet drejt e në gong. Por për dikë me shumë substancë të zezë ka një procedurë shtesë. Është si një produkt që bën fabrika: Të tjerët vijnë me material të gatshëm, ndërsa ky person vjen me lëndë të parë që duhet të përpunohet. Duhet të kalojë një proçes shtesë. Prandaj, ai duhet së pari të vuajë në vështirësi dhe të eliminojë karmë, në mënyrë që ta transformojë atë në substancë të bardhë dhe formojë këtë substancë virtyti. Vetëm atëhere mundet ai të zhvillojë gong të nivelit të lartë. Por një person si ky zakonisht nuk ka cilësi ndriçimi shpirtëror të lindur të mirë. Po t’i kërkohet që të vuajë më shumë, ai do e besojë atë më pak dhe do jetë më e vështirë për të ta durojë atë. Prandaj, është e vështirë për dikë me shumë substancë të zezë të praktikojë kultivim. Prandaj, Shkolla Tao apo një shkollë praktike që mëson vetëm një dishepull kërkonte që mjeshtri të kërkonte për një dishpull e jo e kundërta. Kjo përcaktohej nga sa nga këto gjëra kishte trupi i këtij dishepulli.

Cilësia e lindur përcakton cilësinë e ndriçimit shpirtëror të personit, por kjo nuk është absolute. Disa njerëz nuk kanë cilësi shumë të mirë të lindur, por ambjenti i tyre familjar është shumë i mirë; shumë pjesëtarë të familjes praktikojnë kultivim. Disa prej tyre janë gjithashtu besimtarë fetarë dhe besojnë shumë në praktikën kultivuese. Në këtë ambjent, personi mund të kthehet në besues dhe kjo e bën cilësinë e ndriçimit të tij shpirtëror të përmirësohet. Pra nuk është absolute. Disa njerëz kanë shumë cilësi të mirë të lindur, por për shkak të arsimimit me ato pak njohuri nga shoqëria dhe veçanërisht për shkak të metodave absolute të edukimit ideologjik pak vite më parë, ata janë bërë me mëndje shumë të ngushta dhe nuk do besojnë asgjë përtej njohurive të tyre. Kjo mund ta influencojë seriozisht cilësinë e tyre të ndriçimit shpirtëror.

Për shembull, unë mësova hapjen e Syrit Qiellor në ditën e dytë të një klase. Menjëherë, një personi me cilësi të mirë të lindur ju hap Syri Qiellor në një nivel shumë të lartë. Ai pa skena të shumta që shumë njerëz të tjerë nuk mund t’i shihnin. Ai i tregoi të tjerëve: “Uau, pashë Falun që binin si flokë bore mbi trupat e publikut në gjithë auditorin. Pashë si duket Trupi i Vërtetë i Mësuesit Li, aurorën e Mësuesit, si duken në të vërtetë Falunët dhe sa Fashen janë këtu.” Ai pa se Mësuesi po jepte mësime në nivele të ndryshme dhe se si Falunët po rregullonin trupat e praktikuesve. Ai gjithashtu pa se gjatë leksionit gongshen të Mësuesit po jepnin mësime në çdo nivel të ndryshëm. Po ashtu ai pa bukuroshet qiellore që hidhnin lule rreth e rrotull e të tjera gjëra si këto. Ai pa disa gjëra kaq të mrekullueshme si këto, që tregonin se cilësia e tij e lindur ishte shumë e mirë. Ndërsa ai vazhdonte kështu e ashtu, së fundi ai tha: “Nuk i besoj këto gjëra.” Disa nga këto gjëra janë provuar tashmë nga shkenca dhe shumë gjëra gjithashtu mund të shpjegohen nga shkenca moderne; ne i kemi diskutuar disa prej tyre këtu. Kjo ndodh ngaqë ajo që mund të kuptohet nga qigongu është me të vërtetë përtej kuptimit të shkencës moderne—kjo është e sigurtë. Në bazë të kësaj, cilësia e lindur e dikujt nuk përcakton të gjithë cilësinë e ndriçimit shpirtëror të personit.

Ndriçimi dhe Lartësimi Shpirtëror

Çfarë është “ndriçimi dhe lartësimi shpirtëror”? Ndriçimi dhe lartësimi shpirtëror janë terma nga fetë. Në Buddhizëm do të thonë të kuptuarit nga ana e një praktikuesi të Mësimeve Buddhiste, ndriçim shpirtëror në kuptimin e aftësisë për të kuptuar të vërtetat e Ligjit ndërsa lartësim shpirtëror do të thotë lartësimi shpirtëror përfundimtar apo arritja e mençurisë. Megjithatë, përdoren sot nga njerëzit e zakonshëm për të nënkuptuar që një person është shumë i zoti dhe mund të lexojë mëndjen e manaxherit të tij. Ai ja merr dorën gjërave shpejt dhe din si t’ja bëjë qejfin menaxherit të tij. Njerëzit e quajnë këtë cilësi të mirë të kuptuari dhe zakonisht kuptohet kështu. Megjithatë, sapo dikush ngrihet pak më lart se niveli i njerëzve të zakonshëm, ai do të kuptojë se parimet në këtë nivel siç kuptohen nga njerëzit janë zakonisht të gabuara. Kjo nuk është aspak aftësia për të kuptuar të cilës i referohemi ne. Përkundrazi, cilësia e ndriçimit shpirtëror të një personi të zotë nuk është diçka e mirë, sepse një person që është shumë i zoti do të bëjë vetëm punë sipërfaqësore në mënyrë që të vlerësohet nga menaxheri apo përgjegjësi i tij. Në këtë rast a nuk do të bëhej puna nga dikush tjetër? Kështu ky person do t’i detyrohesh të tjerëve. Ngaqë ai është i zoti dhe din si të kënaqë të tjerët, ai do të marrë më shumë përfitime ndërsa të tjerët do të pësojnë më shumë humbje. Ngaqë ai është i zoti, ai nuk do të pësojë humbje dhe ky person as nuk do të humbë kollaj gjëra të tjera. Për pasojë të tjerët duhet të pësojnë humbje. Sa më shumë që ai kujdeset për këtë pak përfitim praktik, aq më mëndje ngushtë bëhet ai dhe aq më shumë ai mendon se përfitimet materiale të njerëzve janë diçka që ai nuk mund t’i lejojë t’i ikin nga dora. Kështu ai do ta ndjejë veten se është shumë praktik dhe nuk do të pësojë humbje.

Disa njerëz madje e kanë zili këtë person! Po ju them të mos e keni zili atë. Ju nuk e dini sa jetë të lodhshme ai bën: Ai nuk ha apo fle mirë; ai ka frikë mos i dëmtohen interesat edhe në gjumë dhe ai bën çdo gjë për përfitim personal. A nuk do thonit dhe ju se ai bën një jetë të lodhshme sepse e tërë jeta e tij i është përkushtuar kësaj? Ne themi se kur ju bëni një hap mbrapsht në një konflikt, ju do të gjeni një det e qiell të pa kufi dhe patjetër kjo do të sjellë një situatë tjetër. Por një person si ai nuk do të heqë dorë dhe bën jetën më të lodhshme. Ju nuk duhet të mësoni prej tij. Thuhet në komunitetin e kultivuesve: “Një person i tillë është plotësisht i humbur. Ai është komplet i humbur në mes të njerëzve dhe përfitimeve materiale.” Nuk do jetë e lehtë për të që të ruajë virtyt! Po t’i thuash të praktikojë kultivim, ai nuk do t’ju besojë: “Të praktikoj kultivim? Si praktikues, ju nuk kundërpërgjigjeni kur ju godasin apo shajnë. Kur të tjerët ju sjellin probleme, në vend që t’i trajtoni në të njejtën mënyrë, ju madje duhet t’i falenderoni ata. Ju jeni bërë të tërë budallenj! Të gjithë jeni të sëmurë mendorë!” Një person si ky nuk mund ta kuptojë praktikën kultivuese në asnjë mënyrë. Ai do të thotë se ju jeni i paimagjinueshëm dhe i metë. A nuk do të thonit ju se ai është i vështirë për t’u shpëtuar?

Ky nuk është ndriçimi shpirtëror të cilit i referohemi ne. Përkundrazi, është ajo çfarë ky person e quan “budallallëk” përsa i përket interesit personal që quhet ndriçim shpirtëror nga ne. Sigurisht, një person i tillë nuk është me të vërtetë i metë. Ne thjesht e trajtojmë çështjen e interesave personale me indiferencë, ndërsa në aspektet e tjera ne jemi shumë të mençur. Përsa i përket kryerjes së projekteve kërkimore shkencore apo kryerjes së detyrave nga menaxherët apo detyra të tjera, ne jemi mëndje mprehtë dhe i kryejmë ato shumë mirë. Vetëm kur është fjala për përfitime personale apo për konflikte me të tjerët, ne nuk i vëmë atyre rëndësi. Kush do t’ju quaj juve të lënë nga mendtë? Askush nuk do të thotë se jeni të lënë nga mendtë—është e garantuar të jetë kështu.

Le të flasim për një person me të vërtetë të metë, sepse e vërteta e kësaj situate është plotësisht e kundërt në nivele të larta. Mundësia që një i metë të kryejë ndonjë vepër shumë të keqe në mes të njerëzve të zakonshëm është shumë e vogël dhe as nuk do të konkuronte apo luftonte ai për interes personal. Ai nuk kërkon famë e nuk humb virtyt, ndërsa të tjerët do t’i japin atij virtyt dhe kjo substancë është jashtëzakonisht e vlefshme. Në universin tonë, ekziston ky parim: pa humbje nuk ka fitim. Që të fitosh, duhet të humbësh. Kur të tjerët e shikojnë këtë person kaq budalla, ata do ta shajnë atë: “Ej budallë.” Me këto sharje, një copë virtyti do t’i jepet atij. Duke e marrë nëpër këmbë atë ju jeni pala fituese, kështu që ju duhet të humbni diçka. Nëqoftëse dikush shkon dhe e godet atë me shkelm: “Ti je idiot.” Epo mirë, një copë e madhe virtyti do t’i kalojë atij. Kur dikush e mërzit apo e godet atë, ai vetëm do buzëqeshë: “Jepini. Ju po më jepni mua virtyt dhe unë nuk do të refuzoj as dhe një copë prej saj!” Atëhere sipas parimeve të niveleve të larta, mendoje pak, kush është i mençur? A nuk është ky person i mençur? Ai është më i mënçuri sepse ai nuk humb virtyt. Kur ju i jepni atij virtyt, ai nuk e refuzon atë aspak. Ai do e marrë të gjithë atë dhe do e pranojë me një buzëqeshje. Ai mund të jetë i metë në këtë jetë, por jo në tjetrën—Shpirti i tij Primordial nuk është i metë. Thuhet nga fetë që kur ka shumë virtyt, një person do të bëhet zyrtar i lartë apo do të bëjë pasuri të madhe në jetën tjetër; këto shkëmbehen me virtytin tënd.

Ne themi se virtyti mund të transformohet direkt e në gong. A nuk varet lartësia nivelit të kultivimit tënd nga transformimi i këtij virtyti? Ai mund të transformohet direkt e në gong. A nuk transformohet gongu që përcakton nivelin e personit dhe fuqinë e gongut të tij nga kjo substancë? A nuk do të thonit ju se ai është shumë i vyer? Mund të vijë me ju kur lindni dhe ju shoqëron në vdekje. Thuhet në Buddhizëm se niveli juaj i kultivimit është Shkalla juaj e Arritjes. Sa më shumë që ju do të sakrifikoni, aq më e madhe është edhe ajo që do të fitoni—pikërisht, ky është parimi. Thuhet në fe se me virtyt, personi do të bëhet zyrtar i lartë apo do të bëjë pasuri të madhe në jetën tjetër. Me pak virtyt, ai do ta ketë të vështirë dhe për të lypur për ushqim sepse nuk ka virtyt për të shkëmbyer. Pa humbje nuk ka fitim! Kur nuk ka fare virtyt, personi do të zhdukej me trup e shpirt; ai do të vdiste me të vërtetë.

Në të kaluarën, ishte një mjeshtër qigongu niveli i të cilit ishte shumë i lartë kur ai doli në publik për herë të parë. Ky mjeshtër qigongu më vonë u dha pas famës dhe interesit personal. Mësuesi i tij ja mori Shpirtin Ndihmës meqenëse ai i përkiste atyre që kultivojnë Shpirtin Ndihmës. Kur Shpirti i tij Ndihmës ishte akoma i pranishëm, ky person kontrollohej nga Shpirti Ndihmës. Për shembull, një ditë vendi i tij i punës po shpërndante apartamente. Përgjegjësi tha: “Të gjithë ata që kanë nevojë për apartament të vijnë këtu të përshkruajnë kushtet e tyre dhe të shpjegojnë pse keni nevojë për apartament.” Të gjithë dhanë arsyet e tyre ndërsa ky person nuk tha asnjë fjalë. Së fundi, përgjegjësi mori vesh se ky person kishte nevojë më të madhe sesa të tjerët dhe se apartamenti duhej t’i jepej atij. Të tjerët thanë: “Jo, apartamenti nuk duhet t’i jepet atij. Duhet të më jepet mua sepse unë kam më shumë nevojë.” Ky person tha: “Atëhere merre ti.” Një person i zakonshëm do ta quante atë të metë. Disa njerëz e dinin që ai ishte praktikues dhe e pyetën: “Si praktikues, ti nuk don asgjë. Çfarë dëshiron ti?” Ai u përgjigj, “Unë do marr çfarëdo që nuk e duan të tjerët.” Në fakt, ai nuk ishte aspak i metë përkundrazi, ishte shumë i zgjuar. Vetëm përsa i përket interesave personale sillej ai ashtu. Ai besonte në ndjekjen e rrjedhës së natyrshme të gjërave. Të tjerët e pyetën atë përsëri: “E çfarë është ajo që njerëzit nuk e duan sot?” Ai u përgjigj: “Asnjeri nuk dëshiron copat e gurit në tokë që goditen andej e këtej. Kështu unë do t’i mbledh ato.” Njerëzit e zakonshëm e shohin një gjë të tillë si të pakonceptueshme dhe nuk mund t’i kuptojnë praktikuesit. Ata nuk mund t’i kuptojnë ata sepse nivelet e tyre të të menduarit janë shumë larg dhe ndryshimi ndërmjet niveleve të tyre është gjithashtu tepër i madh. Sigurisht, ai nuk do të mblidhte gurët. Ai tha një parim që një njeri i zakonshëm nuk mund ta kuptojë: “Unë nuk do të kërkoj asgjë në mes të njerëzve.” Le të flasim pak për gurin. Ju e dini që thuhet në shkrimet e shenjta të Buddhizmit: “Në Parajsën e Lumturisë Absolute, pemët janë prej floriri dhe po kështu është toka, zogjtë, lulet dhe shtëpitë. Madje dhe trupi i Buddhës është prej floriri dhe plot shkëlqim.” Nuk mund të gjesh as dhe një copë guri atje. Monedha që përdoret atje thuhet se është guri. Ai nuk do të shkonte atje dhe të merrte me vete një copë gur, por ai tha një parim që një njeri i zakonshëm nuk mund ta kuptojë. Me të vërtetë, praktikuesit do të thonin: “Njerëzit e zakonshëm kanë gjërat e tyre që ata përndjekin dhe ne nuk i kërkojmë ato. Përsa i përket atyre gjërave që njerëzit kanë, ne nuk jemi të interesuar. Megjithatë atë që ne kemi është diçka që njerëzit e zakonshëm nuk mund ta marrin dot edhe sikur të donin.”

Në fakt, ndriçimi shpirtëror për të cilin sapo folëm i referohet akoma llojit të ndriçimit shpirtëror gjatë kursit të praktikës kultivuese dhe kjo është pikërisht e kundërta me atë për të cilën flasin njerëzit e zakonshëm. Ndriçimi shpirtëror të cilit i referohemi ne do të thotë, nëse gjatë kursit të praktikës kultivuese një person mund të arrijë të kuptojë dhe pranojë Ligjin e mësuar nga mjeshtri apo Taon e mësuar nga mjeshtri Taoist, nëse ai mund sillet si praktikues kur has në vështirësi dhe nëse ai mund të sillet në përputhje me Ligjin kur praktikon kultivim. Përsa i përket disa njerëzve, pamvarësisht si ja shpjegon këtë, ata nuk do ta besojnë dhe do të mendojnë se është më praktike të jesh njeri i zakonshëm. Ata do të kapen fort pas mendimeve të tyre dhe kjo i bën ata që të mos besojnë dot. Disa njerëz vetëm duan të shërojnë sëmundje. Sapo unë përmend këtu se qigong nuk përdoret aspak për të shëruar sëmundje, mëndja e tyre do të reagojë negativisht dhe për pasojë ata nuk do të besojnë çfarë mësohet më pas.

Disa njerëz nuk mund ta përmirësojnë fare cilësinë e të kuptuarit të tyre. Ata shkruajnë mbi librin tim si t’u teket. Praktikuesit tanë me Syrin Qiellor të hapur mund të shikojnë që ky libër është i shumëngjyrshëm, i artë dhe me shkëlqim. Çdo fjalë ka imazhin e Fashen-it tim. Nëqoftëse do t’ju thoja gënjeshtra, unë do t’ju mashtroja juve. Ajo shenjë që ti bëre duket shumë e errët. Si guxon të shkruash mbi të si të të teket? Çfarë po bëjmë ne këtu? A nuk po ju udhëheqim që të praktikoni kultivim drejt niveleve të larta? Ka disa gjëra që dhe ju duhet t’i mendoni. Ky libër mund të udhëheqë praktikën tuaj kultivuese. A nuk mendoni se është i çmuar? A mundeni ju që me të vërtetë të praktikoni kultivim duke ju falur Buddhës? Ti je shumë adhurues dhe nuk guxon as dhe ta prekësh pak statujën e Buddhës për të cilën djeg erë të mirë çdo ditë, megjithatë ti guxon të prishësh Dafën që mund të udhëheqë me të vërtetë praktikën tënde kultivuese.

Me që po flasim për çështjen e cilësisë së ndriçimit shpirtëror të personit, kjo i referohet thellësisë së të kuptuarit të diçkaje që ndodh në nivele të ndryshme gjatë kursit të praktikës kultivuese, apo të atij Ligji që mjeshtri ka mësuar. Megjithatë, ky nuk është lartësimi shpirtëror themelor të cilit i referohemi ne. Lartësimi shpirtëror themelor për të cilin ne flasim do të thotë që gjatë jetës, nga fillimi i praktikës kultivuese, personi do të ngjitet vazhdimisht lart dhe heqë dorë nga përndjekjet njerëzore dhe nga dëshirat e ndryshme dhe gongu i tij gjithashtu do të rritet derisa arrin në hapin final të praktikës kultivuese. Kur substanca e virtytit të jetë transformuar plotësisht në gong dhe udhëtimi i kultivimit të këtij personi i pregatitur nga mjeshtri të ketë arritur fundin, “Bam!” të gjithë çelsat do të shpërthehen e hapen në sekond. Syri i tij Qiellor do të arrijë pikën më të lartë të nivelit të tij dhe ai mund të shikojë në nivelin e tij të vërtetën e dimensioneve të ndryshme, format e ekzistencës së qënieve dhe materieve të ndryshme në hapësira-kohe të ndryshme dhe të vërtetën e univesit tonë. Të gjitha fuqitë e tij hyjnore do të shfaqen dhe ai do të mund të kontaktojë lloje të ndryshme jete. Tashmë, a nuk është ky person një person i shumëlartësuar shpirtërisht apo një person i lartësuar shpirtërisht nëpërmjet praktikës kultivuese? E përkthyer në gjuhën e lashtë indiane, ai është një Buddha.

Lartësimi shpirtëror të cilit i referohemi ne është ky lartësim shpirtëror themelor që i përket formës së arritjes së lartësimit shpirtëror të menjëhershëm. Lartësim shpirtëror i menjëhershëm do të thotë që një person është i kyçur gjatë viteve të kultivimit të tij dhe ai nuk din gjë sa i lartë është niveli i gongut të tij apo në çfarë forme shfaqet gongu i kultivuar prej tij. Ai nuk ndjen asgjë fare dhe të gjitha qelizat në trupin e tij janë të kyçura. Gongu që ai ka kultivuar është kyçur deri në hapin final dhe vetëm atëhere ai mund të çlirohet. Vetëm dikush me cilësi shumë të mirë të lindur mund ta bëjë këtë, sepse një praktikë kultivuese e tillë është shumë e dhimbshme. Personi duhet ta fillojë duke qënë njeri i mirë. Ai duhet të përmirësojë vazhdimisht karakterin, gjithmonë të vuajë përmes vështirësive, të ngjitet vazhdimisht në kultivim dhe gjithmonë të kërkojë të përmirësojë karakterin edhe pse ai nuk mund ta shikojë gongun e tij. Kultivimi është tepër i vështirë për këtë person dhe ai apo ajo duhet të jetë dikush me cilësi shumë të mirë të lindur. Ky person do të praktikojë kultivim për shumë vite pa ditur gjë.

Ekziston dhe një formë tjetër lartësimi shpirtëror i quajtur lartësim shpirtëror gradual. Që nga fillimi, shumë njerëz e kanë ndjerë rrotullimin e Falunit. Po ashtu, unë i kam hapur atyre Syrin Qiellor. Për arsye të ndryshme, disa njerëz do të mund të shohin në të ardhmen nëqoftëse nuk shohin tani. Ata do të jenë në gjendje të shkojnë nga të shikuarit e gjërave turbullt në të shikuarit më qartë dhe ata do të kalojnë nga paaftësia për ta përdorur atë në diturinë si ta përdorin. Niveli i personit do të rritet vazhdimisht. Ndërsa karakteri juaj përmirësohet dhe përndjekjet e ndryshme braktisen, do të zhvillohen aftësi supernormale të ndryshme. I gjithë proçesi i transformimit të praktikës kultivuese dhe proçesi i transformimit të trupit do të ndodhë në kushtet kur ti mund t’i shikosh apo ndjesh ato. Ndryshimet do të vazhdojnë deri në hapin final kur ti mund të kuptosh plotësisht të vërtetën e universit dhe kur ti të kesh arritur pikën më të lartë që duhet të arrish në kultivim. Transformimi i trupit dhe përforcimi i aftësive supernormale do të kenë arritur secili një shkallë të caktuar dhe kjo do të arrihet gradualisht. Ky është lartësimi shpirtëror gradual. Dhe metoda e kultivimit të arritjes së lartësimit shpirtëror gradual nuk është e lehtë. Me aftësi supernormale të shfaqura, disa njerëz nuk heqin dorë dot nga dëshirat e tyre dhe ka mundësi të mburren  para të tjerëve apo të bëjnë vepra të këqija. Ju do të humbisni kështu virtyt dhe praktika juaj kultivuese do të shkojë dëm e ju do të përfundoni të shkatërruar. Disa njerëz mund të shikojnë manifesimet e jetëve të ndryshme në nivele të ndryshme. Dikush mund t’ju kërkojë të bëni këtë apo atë gjë. Ai person mund t’ju kërkojë të praktikoni gjërat e tij dhe t’ju marrë si dishepull, por ai nuk mund t’ju ndihmojë të arrini Shkallën e Duhur meqenëse ai vetë nuk e ka arritur Shkallën e Duhur.

Po ashtu, të gjitha qëniet në dimensione të larta janë qënie hyjnore që mund të bëhen shumë të mëdhenj dhe të shfaqin tërë fuqitë e tyre mbinatyrale. Nëqoftëse mëndja juaj nuk është e pastër, a nuk do t’i shkoni ju atyre nga prapa? Me t’i ndjekur ata, praktika juaj kultivuese do të shkojë dëm. Edhe sikur ajo qënie të jetë një Buddha apo Tao e vërtetë, ju përsëri duhet ta filloni praktikën kultivuese nga e para. A nuk janë ato qënie qiellore pamvarësisht nga cili nivel i qiellit vijnë? Vetëm kur dikush arrin një nivel shumë të lartë kultivimi dhe ja arrin qëllimit, mundet ai të ngrihet mbi gjithshka. Megjithatë, një personi të zakonshëm, një qënie qiellore mund t’i duket me siguri e lartë, gjigande dhe shumë e zonja. Megjithatë kjo qënie mund të mos e ketë arritur Shkallën e Duhut. Me ndërhyrjen e mesazheve të ndryshme dhe me tërheqjen e vëmendjes nga skena të ndryshme, a mundet të mbeteni të paturbulluar? Prandaj, është gjithashtu e vështirë të praktikosh kultivim me Syrin Qiellor të hapur dhe është më e vështirë të kontrollosh karakterin tënd. Për fat të mirë, shumë nga praktikuesit tanë do t’i kenë aftësitë e tyre supernormale të çbllokuara në gjysmë të proçesit të kultivimit të tyre dhe ata pastaj do të arrijnë stadin e lartësimit shpirtëror gradual. Syri Qiellor i të gjithëve do të hapet por aftësitë supernormale të shumicës nuk lejohen të shfaqen. Kur karakteri juaj të arrijë gradualisht një nivel të caktuar dhe ju të mund të silleni mirë e me mëndje të qëndrueshme, ato do të shpërthehen hapur të gjitha menjëherë. Në një nivel të caktuar, ju do të hyni në gjendjen e lartësimit shpirtëror gradual dhe në atë kohë do të jetë më e lehtë për ju të silleni mirë. Aftësi të ndryshme supernormale do të shfaqen. Ju do të ngjiteni në kultivim vetë derisa në fund të gjitha ato do të çbllokohen. Juve do t’ju lejohet t’i keni ato në gjysmë të praktikës suaj kultivuese. Shumë nga praktikuesit tanë i përkasin këtij grupi, kështu ju nuk duhet të jeni të paduruar të shikoni gjëra.

Të gjithë mund të keni dëgjuar që sekti Zen flet gjithashtu për dallimet ndërmjet lartësimit shpirtëror të menjëhershëm dhe atij gradual. Huineng, patriarku i gjashtë i sektit Zen, mësoi lartësimin shpirtëror të menjëhershëm ndërsa Shenxiu nga Shkolla Veriore e sektit Zen mësoi lartësimin shpirtëror gradual. Mosmarrëveshja ndërmjet të dyve mbi studimet Buddhiste zgjati një kohë shumë të gjatë në histori. Unë e quaj atë të kotë. Pse? Sepse ajo të cilës i referoheshin ata ishte vetëm të kuptuarit e një parimi gjatë proçesit të praktikës kultivuese. Përsa i përket këtij parimi, disa mund ta kuptojnë atë menjëherë, ndërsa të tjerët mund ta arrijnë e kuptojnë atë gradualisht. A ka rëndësi si dikush arrin lartësimin shpirtëror? Është më mirë kur ai mund ta kuptojë të gjithën menjëherë, por është gjithashtu mirë nëqoftëse dikush arrin gradualisht të lartësohet shpirtërisht. A nuk janë të dyja rastet lartësim shpirtëror? Të dyja janë lartësim shpirtëror, kështu asnjëra nuk është e gabuar.

Njerëzit me Cilësi të Lindur të Madhe

Çfarë është një person me “cilësi shpirtërore të lindur të madhe”? Ka dallim edhe ndërmjet dikujt me cilësi shpirtërore të lindur të madhe dhe dikujt me cilësi shpirtërore të lindur të mirë apo të varfër. Është jashtëzakonisht e vështirë të gjesh dikë me cilësi shpirtërore të lindur të madhe, sepse do të duhej një periudhë shumë e gjatë historike që të lindte një person i tillë. Sigurisht, një person me cilësi shpirtërore të lindur shumë të madhe duhet së pari të ketë një sasi të madhe virtyti dhe një fushë shumë të madhe të kësaj substance të bardhë—kjo është e sigurtë. Ndërkohë, ky person duhet gjithashtu të jetë i aftë të durojë vështirësinë e vështirësive. Ai gjithashtu duhet të ketë një mëndje me durim të madh dhe të jetë në gjendje të sakrifikojë. Ai duhet të jetë i aftë të ruajë virtyt, të ketë cilësi ndriçimi shpirtëror të mirë e kështu me rallë.

Cila është vështirësia e vështirësive? Besohet në Buddhizëm se të jesh njeri do të thotë të vuash—për aq kohë sa ju jeni njerëz, ju duhet të vuani. Besohet se jetët në gjithë dimensionet e tjera nuk kanë trupa si trupat njerëzore. Prandaj ata nuk sëmuren dhe as nuk kanë problemet e lindjes, plakjes dhe vdekjes. As që do të kenë vuajtje të tilla. Njerëzit në dimensione të tjera mund të ngrihen në ajër, sepse ata janë pa peshë dhe është me të vërtetë një mrekulli. Për shkak të këtij trupi, njerëzit e zakonshëm do të hasin në vështirësi. Ata nuk mund të durojnë të ftohtët, të nxehtët, etjen, urinë apo lodhjen e për më shumë kanë lindje, plakje, sëmundje dhe vdekje. Sidoqoftë ata nuk do të kenë rehati.

Unë lexova në një gazetë se në kohën e tërmetit në qytetin Tangshan, shumë njerëz u vranë nga tërmeti, por disa i sollën në jetë nga vdekja klinike. Një anketim i veçantë u krye me këtë grup njerëzish. Ata u pyetën: “Si ndjeheshit në gjendjen e vdekjes?” Për habi, këta njerëz të gjithë folën për të njejtën situatë të veçantë. Domethënë, pikërisht në momentin e vdekjes ata nuk ndjenë frikë; përkundrazi, ata papritmas ndjenë një ndjenjë lehtësimi, me një lloj gëzimi në nën-ndërgjegje. Disa njerëz u ndjenë të çliruar nga barra e trupit dhe mund të ngriheshin në ajër me lehtësi dhe me një ndjenjë mrekullie; ata gjithashtu mund të shihnin dhe trupat e tyre. Disa njerëz mundën të shihnin gjithashtu dhe jetë në dimensione të tjera dhe disa të tjerë shkuan në vende të ndryshme. Të gjithë përmendën një ndjenjë lehtësimi në atë moment dhe një lloj gëzimi në nën-ndërgjegje pa ndonjë ndjenjë vuajtjeje. Kjo sugjeron se me këtë trup fizik njeriu, personi do të vuajë, por ngaqë të gjithë dalin nga nëna në këtë mënyrë, askush nuk e din se kjo është vuajtje.

Unë e thashë më parë se personi duhet të kalojë vështirësinë e vështirësive. Dje thashë se koncepti i hapësirë-kohës së njerëzimit është i ndryshëm nga ai i një hapësirë-kohe tjetër më të madhe. Këtu, një shichen ështe dy orë, që është një vit në atë hapësirë. Nëqoftëse një person praktikon kultivim në kushte të tilla të ashpra, ai do të quhej me të vërtetë i jashtëzakonshëm. Kur këtij personi i lind në zemër Tao dhe dëshiron të praktikojë kultivim, ai është thjesht i madh. Me vështirësi të tilla, ai akoma nuk e ka humbur natyrën e tij origjinale dhe dëshiron të kthehet ne origjinë nëpërmjet praktikës kultivuese. Pse mund të ndihmohen praktikuesit pa rezerva? Është pikërisht për këtë arsye. Kur ky person ulet në meditim për një natë rresht në këtë dimension, me ta parë këtë, ata do të thonë se ai është me të vërtetë i jashtëzakonshëm sepse kjo do të thotë atje që ai ka ndenjur ulur për gjashtë vjet. Kjo ndodh ngaqë një shichen e joni është një vit atje. Dimensioni i njerëzimit është jashtëzakonisht i veçantë.

Si i duron një person vështirësitë e vështirësive? Për shembull, një ditë personi shkon në punë dhe vendi i punës nuk po shkon mirë. Situata nuk mund të vazhdojë sepse njerëzit nuk po bëjnë punën. Ndërmarrja do të riorganizohet dhe do të përdorë punëtorë me kontratë. Personeli i tepërt do të hiqet nga puna dhe ky person është një nga ata të cilëve i hiqet buka e gojës papritur. Si do ndjehet ai? Nuk ka vende të tjera pune. Si mund ta sigurojë ai jetesën? Ai nuk ka aftësi të tjera kështu ai shkon në shtëpi i mërzitur. Sapo ai arrin në shtëpi, gjen prindin e moshuar të sëmurë në shtëpi dhe në kushte serioze. I shqetësuar, ai do të nxitojë ta shpjerë prindin në spital. Ai heq gjithë ato vështirësi e merr para borxh për shtrimin në spital. Ai do kthehet pastaj në shtëpi që të pregatisë ushqim për prindin. Sapo kthehet në shtëpi, një mësues do vijë e trokasë në derë: “Fëmija juaj ka dëmtuar dikë në përleshje e sipër dhe duhet të vish menjëherë ta shohësh vetë.” Pasi ai merret me këtë situatë dhe kthehet në shtëpi, sapo ulet, i thonë në një telefonatë: “Bashkëshortja jote po e dredh me njërin.” Sigurisht, ju nuk do të hasni në të njejtin skenar. Një person i zakonshëm nuk mund ta durojë vuajtjen nga këto probleme dhe do të mendojë: “Për çfarë jetoj unë? Pse nuk marr një litar e të var veten e ti jap fund të gjithave?” E kam fjalën se personi duhet të jetë i aftë të vuajë vuajtjen e vuajtjeve. Sigurisht, ato nuk është e thënë të jenë njëlloj me këto. Megjithatë konfliktet midis njerëzve, përplasjet që kalisin karakterin tënd dhe konkurenca për përfitim personal nuk janë më të lehta se këto. Shumë njerëz vetëm jetojnë për të provuar se kanë të drejtë apo për të mos u turpëruar dhe do e varnin veten kur nuk ja dalin dot më gjërave. Kështu ne duhet të praktikojmë kultivim në këtë ambjent kompleks dhe të jemi të aftë të durojmë vështirësinë më të madhe. Ndërkohë, ne duhet të kemi një zemër me durim të madh.

Çfarë është një “zemër me durim të madh?” Si praktikues, gjëja e parë që ju duhet të bëni është të mos luftoni mbrapsht kur ju godasin apo shajnë—ju duhet të jeni tolerant. Përndryshe çfarë lloj praktikuesi jeni ju? Dikush thotë: “Është shumë e vështirë të jesh tolerant dhe unë kam një temperament të keq.” Nëqoftëse temperamenti juaj nuk është i mirë, ju duhet ta ndryshoni atë, sepse një praktikues duhet të jetë tolerant. Disa njerëz e humbin gjakftohtësinë kur disiplinojnë fëmijët dhe i ulërijnë atyre duke krijuar një skenë të keqe. Ju nuk duhet të jeni ashtu në disiplinimin e fëmijëve dhe as nuk duhet që ju vetë të mërziteni me të vërtetë. Ju duhet t’i edukoni fëmijët me arsye kështu që t’i mësoni ata të sillen mirë. Nëqoftëse ju nuk kaloni as dhe një gjë kaq të vogël dhe e humbni gjakftohtësinë kaq shpejt, si doni që të rrisni gongun tuaj pastaj? Dikush thotë: “Nëqoftëse dikush më bie me shkelm ndërsa po kaloj në rrugë e askush rreth e rrotull nuk më njeh, unë mund ta duroj atë.” Unë them se kjo nuk është e mjaftueshme. Mbase në të ardhmen ty mund të të bien me shuplakë në futyrë dhe ti do turpërohesh para dikujt që ti nuk do të deshe kurrë ta shihte këtë. Kjo ndodh që të shohim si do ta trajtosh këtë situatë dhe nëse mund ta durosh atë. Nëqoftëse ti mund ta durosh por prapseprap të mbetet mëndja aty, kjo nuk është e mjaftueshme. Siç e dini, kur një person arrin nivelin e Arhatit, ai nuk ka asnjë shqetësim në zemër. Ai nuk shqetësohet aspak për problemet njerëzore dhe gjithmonë është i qeshur dhe në humor. Pamvarësisht sa humbje pëson, ai përsëri do të jetë i buzëqeshur dhe me humor pa asnjë shqetësim. Nëqoftëse ju mund ta bëni me te vërtetë këtë, ju keni arritur nivelin e hyrjes të Shkallës së Arritjes së Arhatit.

Disa njerëz thonë, “Po të praktikohej toleranca deri në këtë shkallë, njerëzit e zakonshëm do të thonin se ne jemi frikacakë dhe mund të merremi nëpër këmbë me lehtësi.” Unë nuk e quaj këtë të jesh frikacak. Mendojeni pak: Edhe në mes të njerëzve të zakonshëm të moshave të thyera e atyre me arsim të lartë ushtrohet vetpërmbajtje dhe kufizim në zënkat me të tjerët, jo pastaj të flasim për praktikuesit tanë. Si mund të merret kjo se je frikacak? Unë them se është reflektim i një durimi të madh dhe një shprehje vullneti të fortë. Vetëm një praktikues mund të ketë një zemër të tillë durimi të madh. Ekziston kjo thënie, “Kur një njeri mesatar turpërohet, ai do nxjerrë shpatën të luftojë.” Për një njeri të zakonshëm, është vetëm e natyrshme që nëqoftëse ti më shan mua, unë të shaj ty dhe po më godite mua unë të godas ty. Ky është një njeri i zakonshëm. A mund të quhet ai praktikues? Si praktikues, pa vullnet të fortë dhe pa vetkontroll, ju nuk do jeni në gjendje të veproni si duhet.

Ju e dini që në kohë të lashta ishte një njeri i quajtur Han Xin, i cili thuhej se ishte shumë i aftë si gjeneral i lartë për Liu Bang dhe mbështetje për vendin. Pse i pati ai gjithë ato arritje? Thuhet se Han Xin ishte një njeri i rrallë që në moshë të re. Është një histori për Han Xin ku thuhet se ai duroi përuljen e zvarritjes në mes të këmbëve të dikujt. Han Xin-it i pëlqente të praktikonte artet marciale kur ish i ri dhe një ushtrues i artit marcial zakonisht mbante shpatë. Një ditë ndërsa po ecte në rrugë, një rrufian i bllokoi rrugën me duart në mes: “Për çfarë e mban atë shpatë? A ta mban të vrasësh njeri? Po ta mbajti, prite kokën time.” E ndërsa thonte këtë, ai zgjati kokën. Han Xin mendoi: “Pse të ta pres kokën?” Në atë kohë të vrisje dikë raportohej tek qeveria dhe personit do i duhej ta paguante jetën e marrë. Si mund të vriste njeriu tjetrin kur t’i tekej? Kur rrufiani pa që Han Xin nuk guxonte ta vriste, ai tha: “Po nuk ta mbajti të më vrasësh, do të të duhet të zvarritesh në mes të këmbëve të mia.” Han Xin me të vërtetë u zvarrit në mes të këmbëve të tij. Kjo tregon se Han Xin kishte një zemër me durim të madh. Meqenëse ishte i ndryshëm nga njerëzit e zakonshëm, ai mundi të realizonte gjithë ato arritje. Është motoja e një njeriu të zakonshëm që njeriu duhet të jetojë për të provuar se ka të drejtë apo për të mos u turpëruar. Pa mendojeni pak: Të jetosh për të provuar se ke të drejtë apo për të mos u turpëruar—a nuk është e lodhshme kjo? A nuk është e dhimbshme? A ja vlen? Megjithatë Han Xin ishte një njeri i zakonshëm. Si praktikues, ne duhet të jemi shumë më lart se ai. Qëllimi ynë është të dalim mbi nivelin e njerëzve të zakonshëm dhe të çajmë përpara drejt niveleve të larta. Ne nuk do të biem në një situatë të ngjashme. Megjithatë përulja dhe turpi që një praktikues duron në mes të njerëzve nuk është e thënë të jenë më të lehta se ajo. Unë do të thoja se grindja në mes njerit tjetrit që kalit karakterin tuaj nuk është më e lehtë sesa ajo dhe madje mund të jetë më e vështirë—është me të vërtetë e zorshme.

Ndërkohë, një praktikues duhet gjithashtu të bëjë sakrifica, të braktisë përndjekjet e ndryshme dhe dëshirat e njerëzve të zakonshëm. Është e pamundur të jesh i aftë ta arrish këtë menjëherë, kështu ne e arrijmë këtë gradualisht. Po ta arrije ta bëje këtë sot, ju do ishit tani një Buddhë. Praktika kultivuese merr kohë, por ju nuk duhet të dembeloseni. Ju mund të thoni: “Mësuesi ka thënë se praktika kultivuese merr kohë—le ta marrim shtruar.” Kjo nuk bën! Ju duhet të jeni i rreptë me veten. Në kultivimin e Ligjit të Buddhës, ju duhet të çani përpara me këmbëngulje.

Ju duhet gjithashtu të jeni të aftë të ruani virtytin, të mbani lart karakterin tuaj,  dhe të mos bëni gjë sipas dëshirës. Ju nuk duhet që të bëni çfarë të doni dhe duhet të jeni të aftë të ruani karakterin tuaj. Tek njerëzit e zakonshëm, dëgjohet shpesh kjo thënie: “Të kryesh vepra të mira grumbullon virtyt.” Një praktikues nuk praktikon të grumbullojë virtyt, sepse ne besojmë në ruajtjen e virtytit. Pse besojmë ne në ruajtjen e virtytit? Sepse kemi konstatuar këtë situatë: Të grumbullosh virtyt është besimi i njerëzve të zakonshëm sepse ata duan të grumbullojnë virtyt dhe të kryejnë vepra të mira kështu që ata mund të jetojnë mirë në jetën tjetër. Por ne nuk e kemi këtë problem. Nëqoftëse ju arrini sukses në praktikën kultivuese, ju do keni arritur Taon dhe nuk do të keni problemin e jetës tjetër. Kur ne flasim këtu për ruajtjen e virtytit, ka dhe një nuancë tjetër kuptimi. Dhe pikërisht, këto dy substanca që mban trupi jonë nuk janë grumbulluar në një jetë—ato janë trashëguar nga një periudhë e hershme. Edhe sikur t’i binit qytetit kryq e tërthor me biçikletë, ju mund të mos hasnit asnjë vepër të mirë për të bërë. Edhe sikur ta praktikonit një gjë të tillë çdo ditë, ju mund të mos hasnit në mundësira të tilla.

Kjo përmban akoma dhe një nuancë tjetër kuptimi: Duke u përpjekur për të grumbulluar virtyt, ti mund të mendosh se diçka është vepër e mirë, por po ta bësh, mund të dalë që është e gabuar. Po të ndërhysh në diçka që ti e konsideron si diçka të keqe, ajo mund të dalë se ishte gjë e mirë. Pse? Sepse ju nuk mund të shikoni lidhjen karmike. Ligjet rregullojnë punët e njerëzve të zakonshëm, e kjo nuk paraqet ndonjë problem. Por të jesh praktikues do të thotë të jesh mbinjerëzor, kështu si njeri mbinjerëzor, ju duhet të silleni sipas parimeve mbinjerëzore në vend që ta masni veten me standartet e njerëzve të zakonshëm. Nëqoftëse ju nuk e dini lidhjen karmike të një gjëje, ka shumë mundësi që ju ta trajtoni atë në mënyrë jo korrekte. Prandaj, ne mësojmë wuwei dhe ju nuk duhet të bëni diçka vetëm sepse keni dëshirën ta bëni. Disa njerëz thonë: “Unë dua vetëm të disiplinoj njerëzit e këqinj.” Do të thoja se ju më mirë bëhuni polic. Por ne nuk ju kërkojmë juve të qëndroni jashtë gjërave kur ju hasni ndonjë vrasje apo vënie zjarri. Po ju them të gjithëve se kur ndodh ndonjë konflikt midis personave apo kur dikush shkelmon apo godet dikë tjetër, ka shumë mundësi që këta njerëz ia kishin borxh njeri tjetrit në të kaluarën dhe po lajnë një borxh. Po të ndërhyni që ta ndaloni, ata nuk do të kenë mundësi ta lajnë borxhin dhe duhet të presin për një rast tjetër. Kjo do të thotë se nëqoftëse ju nuk mund të shikoni lidhjen karmike, ju mund të kryeni vepra të këqija me lehtësi dhe të humbisni virtyt si pasojë.

Nuk ka rëndësi nëse një person i zakonshëm ndërhyn në punët e njerëzve të zakonshëm, sepse ai apo ajo do të zbatojë parimet e njerëzve të zakonshëm për ta zgjidhur situatën. Ju duhet të përdorni parimet e larta për të gjykuar gjërat. Është çështje karakteri nëse ju nuk ndihmoni të ndaloni një vrasje apo zjarr me qëllim kur i shihni ato. Përndryshe si do të demostronit se ju jeni një njeri i mirë? Po të mos ndihmonit të ndalonit nje vrasje apo vënie zjarri, në çfarë gjëje tjetër do të ndërhynit ju? Megjithatë duhet theksuar një pikë: Këto gjëra me të vërtetë nuk do të kenë të bëjnë me praktikuesit tanë. Ato mund të mos jenë planifikuar që t’i hasni ju. Ne kemi thënë se ruajtja e virtytit e bën dikë të evitojë bërjen e gabimeve. Mbase nëqoftëse ti bën diçka, ti mund të kryesh një vepër të keqe dhe atëhere do të humbasësh virtyt. Me të humbur virtyt, si mund ta rrisësh ti nivelin tënd pastaj? Si mund të arrish qëllimin tënd përfundimtar? Kjo ka lidhje me këto çështje. Po ashtu, ti duhet të kesh dhe cilësi të mirë ndriçimi shpirtëror. Cilësia shpirtërore e mirë e lindur mund ta bëjë dikë që të ketë ndriçim të mirë shpirtëror. Ndikimi i ambjentit gjithashtu mund të ketë një lloj ndikimi.

Ne gjithashtu kemi thënë se nëse të gjithë ne kultivojmë veten tonë të brendshme, ekzaminojmë karakterin tonë për të parë për shkaqet e gabimit në mënyrë që të veprojmë më mirë herën tjetër dhe të marrin në konsideratë të tjerët para se të bëjmë ndonjë veprim, shoqëria njerëzore do të bëhej më e mirë dhe standartet e saj etike do të ngriheshin përsëri. Qytetërimi shpirtëror do të përmirësohej dhe po ashtu dhe sigurimi publik. Mbase nuk do të kishte polici. Askush nuk do të kishte nevojë që të qeverisej sepse të gjithë do të disiplinonin veten dhe do ta kërkonin arsyen brenda vetes. A nuk do thonit ju që kjo do të ishte e hatashme? Ju e dini se ligjet janë bërë më përmbledhëse e më të perfeksionuara. Megjithatë pse ka njerëz që akoma kryejnë vepra të këqija? Pse nuk zbatojnë ata ligjet? Sepse ju nuk mund të qeverisni zemrat e tyre. Kur nuk i sheh njeri, ata përsëri do të kryejnë vepra të këqija. Nëqoftëse dikush kultivon veten e vet të brendshme, do të jetë plotësisht ndryshe. Nuk do kishte nevojë për askënd që të siguronte drejtësi.

Ky Ligj mund të jepet vetëm deri në këtë nivel. Varet nga kultivimi juaj që të merrni ato që janë në nivele të larta. Pyetjet e bëra nga disa persona janë bërë më specifike. Nëqoftëse unë ju shpjegoj të gjitha pyetjet në jetën tuaj, çfarë do të mbetet që të kultivohet nga ju? Ju duhet të praktikoni kultivim dhe të lartësoheni shpirtërisht vetë. Po t’ju tregoj çdo gjë, nuk mbetet asgjë për t’u kuptuar gjatë kultivimit tuaj. Për fat të mirë, Dafa është bërë tashmë publike dhe ju mund t’i bëni gjërat në përputhje me Dafën.

*                     *                     *

Unë mendoj se koha ime për të shpërndarë Ligjin ka ardhur praktikisht në përfundim. Prandaj, unë dua t’ju lë të gjithëve gjëra autentike kështu që të ketë Ligj për të udhëhequr secilin në praktikën e ardhshme kultivuese. Gjatë gjithë periudhës së mësimit të këtij Ligji, unë kam dashur t’i bëj gjërat sipas parimit të të qenit i përgjegjshëm para secilit dhe shoqërisë. Në fakt, ne kemi ndjekur këtë parim. Përsa i përket rezultatit, unë nuk do të bëj ndonjë koment. E ka në dorë publiku ta gjykojë. Qëllimi im është ta bëj këtë Ligj të Lartë publik dhe të bëj më shumë njerëz të përfitojnë, duke i aftësuar ata që me të vërtetë duan të praktikojnë kultivim të përparojnë në praktikën kultivuese të tyre duke ndjekur këtë Ligj. Në të njejtën kohë që ju mësojmë Ligjin, ne gjithashtu kemi shpjeguar parimet e të qenit njeri dhe shpresojmë që nëse pas kësaj klase ju nuk do të mund të ndiqni këtë Ligj të Lartë për të praktikuar kultivim, ju të paktën do të bëheni një njeri i mirë. Prej kësaj do të përfitojë shoqëria jonë. Në fakt, ju tashmë e dini si të bëheni njeri i mirë and pas kësaj klase ju do të jeni njeri i mirë.

Gjatë kursit të mësimit të Ligjit, ka pasur gjithashtu dhe gjëra që nuk kanë shkuar vaj dhe ndërhyrje të ndryshme kanë qënë shumë të mëdha. Në sajë të mbështetjes së madhe prej organizatave ftuese, administratorëve në profesione të ndryshme dhe përpjekjeve të stafit tonë, klasat tona kanë qenë plotësisht të suksesshme.

Të gjitha ato që kam trajtuar ne leksone janë për të udhëhequr secilin që të praktikojë kultivim drejt niveleve të larta. Në të kaluarën, askush nuk i dha këto gjëra në mësimet e tyre. Ajo që ju kemi mësuar është shumë e qartë dhe ka inkorporuar shkencën moderne dhe bashkëkohore të trupit të njeriut. Po ashtu, ajo që ju është mësuar është e një niveli shumë të lartë. Pikë së pari ka për qëllim të aftësojë çdo njeri që të mësojë Ligjin në të ardhmen dhe të ngjitet nëpërmjet praktikës kultivuese—ky është qëllimi im. Gjatë kursit të mësimit të Ligjit dhe ushtrimeve, shumë njerëzve u duket se Ligji është shumë i mirë, por shumë i vështirë për t’u zbatuar. Në fakt, unë mendoj se varet nga personi nëse është i vështirë apo jo. Për një person të zakonshëm i cili nuk dëshiron të praktikojë kultivim, do t’i duket praktika kultivuese shumë e vështirë, e pakonceptueshme apo e pamundur. Si njeri i zakonshëm ai nuk dëshiron të praktikojë kultivim dhe do t’i duket ajo shumë e vështirë. Lao Zi pat thënë: “Kur një njeri i mençur dëgjon për Taon, ky person do ta praktikojë atë me zell. Kur një njeri i mesëm e dëgjon atë, ky person do ta praktikojë atë me hope. Kur një person i metë e dëgjon atë, ky person do të qeshë me të madhe. Nëqoftëse ky person nuk qesh me të madhe, nuk është Tao.” Një praktikuesi të sinqertë, unë do t’i thoja se është shumë e lehtë dhe jo diçka tepër e lartë për t’u arritur. Në fakt, shumë praktikues veteranë të ulur këtu apo që nuk janë prezent kanë arritur shumë nivele të larta në praktikën e tyre kultivuese. Unë nuk ja u kam thënë këtë, që të mos zhvillonit ndonjë dëshirë apo të kënaqeshit me veten. Kjo do të ndikonte pastaj në zhvillimin e fuqisë së gongut tuaj. Si praktikues me të vërtetë të vendosur, ju do të jeni të aftë të duroni çdo gjë dhe të hiqni dorë apo të mos merakoseni fare për dëshirat apo para interesave personale të ndryshme. Për aq kohë sa ju mund ta bëni këtë, nuk do të jetë e vështirë. Atyre personave i duket e vështirë sepse ata nuk mund të heqin dorë nga këto gjëra. Vetë praktika kultivuese nuk është e vështirë dhe as përmirësimi i nivelit të personit nuk është i vështirë. Ngaqë ata nuk mund të heqin dorë nga mëndja njerëzore, ata e quajnë atë të vështirë. Kjo ndodh sepse është shumë e vështirë të lësh diçka me fitim praktik. Përfitimet janë para syve, pra si mund t’i braktisni ju këto dëshira? Është në fakt për shkak të kësaj që do t’i duket e vështirë. Kur ndodh një konflikt me persona të tjerë, nëqoftëse ju nuk praktikoni tolerancë apo trajtoni veten si kultivues kur hasni me të, unë do të thoja se kjo do të ishte e papranueshme. Kur unë praktikoja kultivim në të kaluarën, shumë mjeshtër të mëdhenj më thanë këto fjalë: “Kur është e vështirë të durosh, ti mund ta durosh. Kur është e pamundur për t’u bërë, ti mund ta bësh.” Në fakt, është kështu. Pse nuk e provoni njëherë kur të ktheheni në shtëpi. Kur të jesh duke kapërcyer një vështirësi reale apo problem, ti provoje njëherë. Kur është e vështirë të durosh, përpiqu ta durosh. Kur duket e pamundur dhe thonë se është e pamundur, bëje provë dhe shiko në është e mundur. Nëqoftëse e provon me të vërtetë, ti do të gjesh se: “Pasi të kalosh shelgjet me hije, do të ketë lule të mrekullueshme e një fshat tjetër më tutje!”

Ngaqë kam folur kaq shumë, do të jetë shumë e vështirë për secilin të mbajë mend kaq shumë gjëra që janë thënë. Unë kryesisht do të bëj pak kërkesa: Shpresoj se të gjithë ju do ta trajtoni veten si praktikues në praktikën kultivuese të ardhme dhe me të vërtetë do të praktikoni kultivim. Shpresoj se si praktikuesit veteranë ashtu dhe ata të rinj do të jenë të aftë të praktikojnë kultivim në Ligjin e Lartë dhe të dalin me sukses! Shpresoj se pasi të shkoni në shtëpi, secili do të bëjë perpjekjen më të madhe të tij e të saj për të praktikuar me të vërtetë kultivim.



gongshen—trup i përbërë prej gongu.

Shenxiu—themelues i Shkollës Veriore të sektit Zen në Dinastinë Tang.

Han Xin—gjenerali kryesor për Liu Bang.

Liu Bang—perandori dhe themeluesi i Dinastisë Han (206 B.C. - 23 A.D.).

qytetërim shpirtëror—term popullor ne Kinën e kohës së sotme që do të thotë lartësim i mendjes së njerëzve dhe moralit. Në Kinë, ky term përdoret si kontrast ndaj “qytetërimit material”.